Koreja e Veriut mbyll përfundimisht çështjen e denuklearizimit, nuk heq dorë nga a*mët bërthamore
Koreja e Veriut ka bërë të ditur se çështja e denuklearizimit të vendit konsiderohet e mbyllur përfundimisht dhe nuk ka më mundësi për heqjen dorë nga armët bërthamore.
Sipas një deklarate të publikuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA), një përfaqësues i Ministrisë së Jashtme në Phenian ka kritikuar Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për diskutimet e fundit mbi forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe parandalimit bërthamor në rajon.
Autoritetet në Phenian bëjnë të ditur se bashkëpunimi mes Uashingtonit dhe Seulit nuk ndryshon qëndrimin e Koresë së Veriut, e cila e konsideron veten tashmë si një shtet me armë bërthamore.
Në deklaratë thuhet se qëndrimet dhe retorika e SHBA-së nuk mund të ndikojnë në statusin bërthamor të vendit.
Pheniani ka bërë të qartë se denuklearizimi nuk është më një çështje për negociata dhe se ky pozicion mbetet i pandryshuar.
Deklarata vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme në Gadishullin Korean, ndërsa SHBA dhe aleatët e saj po forcojnë bashkëpunimin e sigurisë në rajon përballë kërcënimeve të Koresë së Veriut.

