NIS "EL NIÑO"! Rrezik dhe frikë ndaj luhatjeve ekstreme temperaturave, pritet të jetë vala më e fuqishme
Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA) ka njoftuar fillimin e një cikli të ri të fenomenit klimatik El Niño. Sipas ekspertëve, ekziston rreth 63% mundësi që ky fenomen të zhvillohet në një “Super El Niño”, një nga më të fuqishmit e regjistruar që nga viti 1950.
Parashikimet tregojnë se El Niño mund të zgjasë deri në fillim të vitit 2027 dhe të ndikojë ndjeshëm në klimën globale, duke rritur rrezikun e ngjarjeve ekstreme të motit.
El Niño është pjesë e sistemit klimatik ENSO, që përfshin edhe fazën e kundërt La Niña. Ai lidhet me ngrohjen e pazakontë të ujërave në Oqeanin Paqësor, e cila ndikon në qarkullimin atmosferik në mbarë botën.
Edhe pse vetë fenomeni nuk shkakton drejtpërdrejt stuhi apo përmbytje, ai krijon kushte që favorizojnë më shumë valë të të nxehtit, thatësira, reshje të dendura, përmbytje dhe zjarre pyjore.
Sipas parashikimeve, disa zona të Amerikës së Jugut mund të përballen me thatësira më të forta, ndërsa pjesë të Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara mund të kenë më shumë reshje.
Shkencëtarët shpjegojnë se El Niño është fenomen natyror, por ngrohja globale mund të rrisë intensitetin e ndikimeve të tij.
Organizata Botërore Meteorologjike paralajmëron se një El Niño i fortë mund të sjellë përkeqësim të thatësirave dhe reshjeve ekstreme, si dhe rritje të valëve të të nxehtit në tokë dhe në oqeane.
Ekspertët vlerësojnë se vitet e ardhshme mund të jenë ndër më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë, me ndikime të dukshme në klimën globale.

