VENDIMI/ PSE ILIR META MBETI NË BURG? Kushtetuesja zbardh argumentet me cilat rrëzoi kërkesën për liri
Gjykata Kushtetuese zbardhi arsyetimin e saj për lënien në fuqi të masës “arrest me burg” ndaj Ilir Metës, duke vlerësuar se ajo mbështetet në prova dhe dyshime të arsyeshme për veprat penale që hetohen. Kushtetuesja rrëzoi pretendimet për shkelje të lirisë personale, ndërsa nuk shqyrtoi akuzat për diskriminim lidhur me zgjedhjet e 11 majit.
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e plotë të marrë ndaj ankimimit të ish-Presidentit të Republikës Ilir Meta, lidhur me masën e sigurisë ‘Arrest me Burg’, të cilën kreu i Partisë së Lirisë e konsideron si një masë joproporcionale, në shkelje të prezumimit të pafajsisë, trajtimit çnjerëzor apo si diskriminuese për shkak të zgjedhjeve të 11 majit.
Në vendimin e Kushtetueses theksohet se në të gjitha shkallët e gjyqësorit është justifikuar masa ‘arrest me burg’, duke u basuar në prova mbi dyshimet e arsyeshme ndaj metës.
"Gjykata vlerëson se gjykatat e juridiksionit të zakonshëm kanë arsyetuar veprimet ose mosveprimet të cilat kërkuesi dyshohet t’i ketë kryer në kuadër të elementeve të figuravetë veprave penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë, të kryera disa herë dhe në bashkëpunim. Gjykatat e zakonshme kanë vënë theksin se në bazë të materialeve dhe provave të grumbulluara gjatë hetimit ekziston dyshimi i arsyeshëm që kërkuesi të ketë kryer veprat penale për të cilat dyshohet."
Në vendimin e zbardhur të Kushtetueses thuhet ndër të tjera se në çështjen penale ndaj Metës ka fakte dhe informacione që arrijnë të bindin një vëzhgues të jashtëm se ai mund të ketë kryer veprat penale për të cilat dyshohet, ndaj nuk mund të arrihet në përfundimin se kufizimi i lirisë së tij është kryer në mungesë të dyshimit të arsyeshëm.
Por a është proporcionale masa e sigurisë ndaj ish-kreut të Shtetit?
Gjykata Kushtetuese: Për sa kohë që masa e sigurimit personal ndaj kërkuesit është vendosur për një qëllim të ligjshëm, garantimin e mbarëvajtjes së procesit penal në ngarkim të tij, ajo nuk është joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes dhe nevojave të sigurimit, si dhe është në përputhje me rregullat procedurale të KPP-së për caktimin e saj, për rrjedhojë pretendimi i kërkuesit për cenimin e lirisë personale është i pabazuar.
Ndërkohë Kushtetuesja nuk mori në shqyrtim pretendimin për diskriminim lidhur me zgjedhjet e 11 majit, si një nga liderët e opozitës.
Në vendimin e zbardhur thuhet se Meta pretendimin për diskriminim për shkak të zgjedhjeve parlamentare të datës 11 maj 2025 dhe se ndaj politikanëve të tjerë shqiptarë janë dhënë masa më të lehta shtrënguese e ka parashtruar për herë të parë në gjykimin kushtetues, duke mos shteruar mjetet juridike që ka pasur në dispozicion, për rrjedhojë ato nuk mund të merren në shqyrtim.

