Shtyhet sërish seanca në GJKKO, Erion Veliaj vijon skemën
Ka dështuar të vijojë procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 18 të bashkëpandehurve të tjerë në Gjykatën e Posaçme.
Seanca e sotme është shtyrë zyrtarisht për shkak të mungesës së një pjese të avokatëve mbrojtës të palëve në proces. Përballë kësaj situate, gjykata ka marrë vendimin për të pezulluar afatet e paraburgimit për Erion Veliajn.
Gjatë seancës, vëmendjen e ka marrë një kërkesë e fortë e avokatit të Veliajt, Plarent Ndreca, i cili ka pretenduar përpara togave të zeza se mbrojtjes nuk i janë vënë në dispozicion 24 fashikuj të dosjes hetimore.
Lidhur me këtë pretendim, trupa gjykuese ka sqaruar se fashikujt që mungojnë në këtë fazë lidhen specifikisht me njoftimin e akuzës për të pandehurit e tjerë të përfshirë në këtë dosje voluminoze.
Gjykata argumentoi se kjo kërkesë e avokatit Ndreca nuk mund të trajtohet si një kërkesë për të zbatuar vendimin e një gjykate tjetër, por thjesht si një kërkesë legjitime e palës mbrojtëse.
Gjithashtu, trupa gjykuese ka theksuar se Veliajt nuk i është cenuar e drejta e mbrojtjes në asnjë moment deri në këtë fazë të procesit. Megjithatë, për të garantuar transparencë të plotë dhe një proces të rregullt ligjor, gjykata ka vendosur që t’i vëri zyrtarisht në dispozicion Veliajt dhe mbrojtjes së tij të 24 fashikujt që mungonin, përpara seancës së radhës.
Erion Veliaj vijon skemën
Kryebashkiaku vijon me skemën e tij duke shmangur si një frikacak seancat gjyqësore, pasi edhe në seancën e sotme nuk ishte i pranishëm në sallë dhe përfaqësohet nga avokati i pandehur, Plarent Ndreca.
13 akuza për 5 vepra të rënda, 9 herë korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim të produkteve të veprës penale, fshehje pasurie, futje të sendeve të ndaluara në qeli rëndojnë mbi kryebashkiakun Erion Veliaj.
Mbi 60 mijë faqe faktojnë me prova akuzat ndaj kryebashkiakut që ka përdorur detyrën për të pasuruar veten dhe familjarët e tij.
Gjatë kësaj periudhe, Veliaj ka përdorur çdo lloj makinacioni, nga ndryshimi i avokatëve te sulmet apo paditë ndaj prokurorëve dhe vendimeve të tyre në gjykata të ndryshme, për të zvarritur gjyqet.
Nga biruca e burgut të Durrësit vijon të sulmojë përmes mediave të tij prokurorët dhe gjyqtarët që janë marrë me dosjen e tij.
Sulmet arrijnë deri në SHBA, me raporte të mbushura me mashtrime dhe studio ligjore lobiste që paguhen qindra mijëra dollarë për të dorëzuar këto raporte të mbushura me gënjeshtra të zbardhura njëra pas tjetrës.
Me artikuj të ndryshëm të sponsorizuar në media të huaja nga të tretë që shprehin rezerva për drejtësinë në Shqipëri.
Me skenarë duke ndryshuar avokatët, për të përfunduar duke u mbrojtur nga një avokat i marrë i pandehur nga SPAK-u, si Plarent Ndreca.
Të gjitha përpëlitjet e Veliajt kundër drejtësisë tregojnë se është një frikacak, se nuk është mjaftueshëm burrë për të shkuar para drejtësisë për t'u përballur me faktet dhe provat që kanë gjetur prokurorët mbi të cilat janë ngritur 13 akuzat e rënda./ CNA


