Arredimi i verës në fokus/ Hetoja tregon ndikimin e ngjyrave dhe trendet e reja 2026–2027

Vera është stina e energjisë, dritës dhe freskisë, elemente që reflektohen drejtpërdrejt në mënyrën se si njerëzit arredojnë shtëpitë e tyre. Përmes përdorimit të ngjyrave pastel, materialeve të lehta dhe aksesorëve me motive natyrale apo detare, ambientet e brendshme mund të kthehen në oaze të vërteta relaksi dhe pozitiviteti për syrin.

Në një intervistë në "Ora News", Anila Hetoja, interior designer, zbuloi rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë ngjyrat në gjendjen emocionale dhe psikologjike të individëve. Ngjyrat nuk janë thjesht një detaj estetik; ato janë burim jete dhe energjie pozitive që mund të ndryshojnë tërësisht pamjen e një ambienti, qoftë ai i brendshëm apo i jashtëm.

Përtej sezonit aktual ku mbizotërojnë ngjyrat e forta dhe ekzotike si bluja, jeshilja, portokallia dhe blu saks, vëmendja po kthehet edhe drejt trendeve të së ardhmes për vitet 2026-2027. Megjithatë, ekspertja paralajmëroi se, pavarësisht tërheqjes ndaj nuancave të theksuara vizuale, thelbësore mbetet kujdesi maksimal në mënyrën e kombinimit dhe përdorimit të tyre në hapësirat e banimit.

" Ana psikologjike ka shumë të bëjë me të gjithë individët. Ngjyrat janë ato që na japin jetë, nga ngjyrat ne marrim atë energjinë pozitive, nga ngjyrat ndryshon totalisht një arredim i brendshëm apo edhe i jashtëm qoftë ai. Nëse flasim për sa i përket trendeve në 2026-2027, gjithmonë jam e kujdesshme për të parë cilat janë ndryshimet. Pavarësisht që janë këto ngjyra të forta që kemi tani në këtë sezon, janë ngjyrat blu, blu saks, e jeshile e fortë dhe ekzotike, ngjyrat e portokallisë, e kaltra, blu, blu e errët, blu saks, pavarësisht kësaj duhet të kemi shumë kujdes se si do t'i përdorim ato", u shpreh Hetoja.

Ndiqni intervistën e plotë: