Shëndetësia si hall dhe jo si shërbim
Do të duhej që shëndetësia të ishte garanci. Do të duhej të ishte edhe siguri. Do të duhej të ishte shërbim.
Jo falas siç u premtua. Por si shërbim i ndërtuar mbi politika dhe reforma që e bëjnë të vlefshme për jetën e qytetarëve.
Si në çdo vend normal ku shteti merr përsipër përgjegjësitë që duhet të përmbushë.
Mirëpo tek ne, shëndetësia është kthyer në hall.
Në hall që fillon që te dera e spitalit.
Një hall që vazhdon në korridore të mbushura, në pritje pa fund, në mungesë ilaçesh, në analiza që kushtojnë sa paga e një muaji.
Një hall ku qytetari nuk pyet më: “A do të shërohem?”, por “A kam mundësi ta përballoj?”
Sot, njerëzit nuk kanë frikë vetëm nga sëmundja.
Kanë frikë nga sistemi.
Sepse kur një nënë duhet të endet nga një spital në tjetrin për një vizitë për fëmijën…
kur një pensionist numëron ilaçet sipas xhepit dhe jo sipas recetës…
kur një i ri detyrohet të marrë borxh për një operacion…
atëherë kemi humbur diçka më të madhe se infrastruktura.
Kemi humbur besimin.
E ndërkohë, propaganda flet për investime, për aparatura moderne, për reforma historike.
Por qytetari e mat një sistem shëndetësor me një pyetje të vetme:
“A më shërben kur kam nevojë?”
Sepse shëndetësia nuk është luks.
Nuk është privilegj për ata që kanë para apo miq.
Shëndetësia është e drejtë.
Një shoqëri nuk matet me kullat që ndërton, por me mënyrën si i trajton njerëzit kur janë më të dobët e kur gjenden në nevojë.
Sot, shumica e qytetarëve ndihen të vetëm përballë sëmundjes.
Ky është alarmi që nuk mund të mbulohet më apo statistika.
Sepse kur shëndetësia kthehet në hall, atëherë vetë shteti është në krizë.

