Taylor Swift 'shkëlqen' në AMA me 8 nominime/ Fansat presin rikthimin e BTS dhe performancat që premtojnë spektakël
Ceremonia e njohur e çmimeve American Music Awards rikthehet këtë vit me edicionin e saj të 52-të, duke sjellë në Las Vegas një nga netët më të rëndësishme të muzikës botërore.
Eventi do të mbahet më 25 maj në MGM Grand Garden Arena dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në CBS dhe Paramount+.
Këtë vit mbrëmja do të prezantohet nga Queen Latifah, e cila rikthehet në skenën e AMA-ve pas më shumë se 30 vitesh. Ajo u shpreh e emocionuar për rikthimin në një nga skenat më të rëndësishme të industrisë muzikore.
Artistja më e nominuar e këtij edicioni është Taylor Swift me tetë nominime, mes tyre për “Artistja e Vitit”, “Albumi i Vitit” dhe “Kënga e Vitit”. Megjithatë, këngëtarja nuk pritet të marrë pjesë në ceremoni. Pas saj renditen Sabrina Carpenter dhe Morgan Wallen me nga shtatë nominime secili.
Në skenë do të performojnë artistë të njohur si Teddy Swims, Keith Urban dhe Twenty One Pilots.
Një nga momentet më të komentuara të mbrëmjes pritet të jetë rikthimi i BTS në një ceremoni çmimesh pas katër vitesh mungesë. Gjithashtu do të performojnë edhe Karol G, Billy Idol, New Kids on the Block dhe The Pussycat Dolls.
Gjatë ceremonisë do të ndahen edhe disa çmime speciale. Billy Idol do të nderohet me çmimin për kontributin e jetës në muzikën rock, ndërsa Karol G do të marrë vlerësimin për ndikimin ndërkombëtar në muzikë dhe kulturë. Ndërkohë, Darius Rucker do të vlerësohet për mbështetjen ndaj veteranëve dhe organizatave ushtarake.

