PËRPLASJE MES ALLEGRIT DHE IBRAHIMOVIC/ Igli Tare dhe Furlani rrezikojnë largimin nga Milani

Kriza e brendshme te Milani po thellohet mes tensioneve në drejtim dhe pasigurive për sezonin e ardhshëm. Mediat italiane raportojnë për përplasje mes Massimiliano Allegri-t dhe Zlatan Ibrahimovic, ndërsa edhe pozitat e Igli Tare mbeten në diskutim.

Tensionet brenda Milanit vazhdojnë të shtohen, ndërsa klubi kuqezi po përballet me një situatë të ndërlikuar në prag të sezonit 2026-2027. Sipas mediave italiane, deklarata e trajnerit Massimiliano Allegri për nevojën e unitetit në klub nuk ka qenë rastësore, pasi prej kohësh në “Casa Milan” ekzistojnë përçarje dhe grupime të ndryshme brenda drejtimit të klubit.

Raportimet bëjnë me dije se pronari Gerry Cardinale po shqyrton mundësinë e një ristrukturimi të thellë në fund të sezonit. Në rrezik për të ardhmen në klub janë drejtori sportiv Igli Tare, si edhe administratori Giorgio Furlani, i cili së fundmi është kritikuar ashpër nga tifozët e organizuar. Ndërkohë, Furlani mësohet se ka nisur kontakte me Tony D’Amico, aktualisht drejtues te Atalanta, për ndërtimin e projektit të ri sportiv të Milanit.

Në këtë situatë mund të rikthehet në qendër të vendimmarrjes Zlatan Ibrahimovic, i konsideruar si njeriu i besuar i Cardinale. Ish-sulmuesi suedez kishte kaluar në plan të dytë pas sezonit zhgënjyes dhe merkatos së dështuar të janarit 2025, ku ishte përfshirë drejtpërdrejt në vendimmarrje. Megjithatë, sipas “Corriere della Sera”, Ibrahimovic pritet të marrë sërish një rol më të fortë në drejtimin e klubit.

Raporti mes Ibrahimovic dhe Allegri-t, sipas medias italiane, është përkeqësuar pas ndeshjes Napoli-Milan. Shkak për tensionet është bërë diskutimi për zgjedhjen e portierit të tretë për sezonin e ardhshëm, por edhe ndërhyrjet e pretenduara të Ibrahimovic me telefonata ndaj Rafael Leao dhe Youssouf Fofana për t’u dhënë këshilla taktike. Këto veprime nuk janë pritur mirë nga trajneri kuqezi.

Megjithëse Allegri ka deklaruar publikisht dëshirën për të vazhduar te Milani, klima aktuale brenda klubit e bën të pasigurt të ardhmen e tij në stolin kuqezi.