ROONEY KRITIKON TUCHEL/ Ish-kapiteni habitet me mungesën e Alexander-Arnold me Anglinë
Wayne Rooney ka kritikuar trajnerin e Kombëtares së Anglisë për lënien jashtë të Trent Alexander-Arnold nga skuadra. Ish-kapiteni e cilësoi vendimin “të pakuptimtë”, duke theksuar se mbrojtësi i Real Madrid meriton të jetë pjesë e skuadrës për Botërorin.
Vendimi i trajnerit Thomas Tuchel për të lënë jashtë futbollistin Trent Alexander-Arnold nga skuadra e Anglisë ka shkaktuar debat në futbollin anglez.
Ish-kapiteni i kombëtares, Wayne Rooney, e cilësoi këtë zgjedhje “të pakuptimtë”, duke vënë në dyshim arsyet pse mbrojtësi nuk u përfshi në listën e fundit para Kupës së Botës.
Alexander-Arnold, aktualisht pjesë e Real Madridit, është rikthyer në formë pas një dëmtimi në kofshë dhe ka luajtur rregullisht me klubin spanjoll. Megjithatë, ai mungoi në miqësoret e Anglisë ndaj Uruguait dhe Japonisë, ndërsa në vend të tij u aktivizua Ben White i Arsenalit.
Rooney theksoi se Alexander-Arnold mbetet një nga lojtarët më cilësorë të Anglisë dhe se përjashtimi i tij nuk ka logjikë. Ai shtoi se edhe pse Reece James do të ishte zgjedhja e parë në krahun e djathtë të mbrojtjes nëse është në formë, Alexander-Arnold meriton të jetë në avionin drejt Botërorit.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ish-mbrojtësi anglez Phil Jagielka, i cili deklaroi se një lojtar me cilësitë dhe eksperiencën e Alexander-Arnold nuk mund të lihet jashtë një turneu të madh. Sipas tij, Anglia duhet të marrë në Botëror lojtarët më të mirë dhe më me përvojë.
Debati për përzgjedhjet e Tuchel vjen në një moment të rëndësishëm për kombëtaren angleze, ndërsa tifozët dhe ekspertët presin listën përfundimtare për Kupën e Botës në Amerikën e Veriut.
