Përballja Elbasani–Tirana/ Matraxhiu: Kjo është një ndeshje me shumë peshë, nuk ka hapësirë për gabim
Në emisionin “Sport Focus” në Ora News, i ftuar ishte menaxheri i futbollit Andi Matraxhiu, i cili foli për zhvillimet në Kategorinë Superiore dhe garën në javën e fundit të sezonit të rregullt.
Ai u ndal fillimisht te situata e skuadrave dhe përgatitjet për ndeshjet vendimtare që përcaktojnë renditjen finale para fazës “Final Four”.
“Merkatoja e Elbasanit ka qenë e qëndrueshme. Ka pasur disa lëkundje në mbrojtje në fillim, por më pas skuadra është stabilizuar. Lojtarët që erdhën në janar kanë dhënë ndikim në pjesën e dytë të sezonit.”-tha menaxheri i futbollit.
Matraxhiu vuri në dukje se përballja Elbasani–Tirana është më shumë se një ndeshje e zakonshme, duke marrë parasysh rëndësinë në renditje dhe historinë mes dy tifozërive.
“Kjo është një ndeshje me shumë peshë. Tirana nuk ka hapësirë për gabim, sepse një rezultat negativ e çon në rrezik për play-off. Edhe Elbasani kërkon pikët, sepse çdo pikë ka rëndësi në fazën finale.”- u shpreh Matraxhiu.
U diskutua edhe gara për vendin e katërt, ku Dinamo ka siguruar pjesëmarrjen në Final Four, ndërsa Partizani mbeti jashtë, pas një sezoni me luhatje dhe ndryshime të shumta në drejtim.
Sezoni i rregullt në Superiore pritet të mbyllet me ndeshje vendimtare, ku çdo rezultat mund të ndryshojë renditjen përfundimtare.

