Bakteret e gojës “shkaktarë” për obezitet dhe jo vetëm…

Zbulimet e fundit shkencore po ndryshojnë mënyrën se si e kuptojmë “boshtin gojë-zorrë-mëlçi”, një rrugë biologjike ku bakteret nga goja migrojnë drejt sistemit tretës dhe qarkullimit të gjakut. Ky migrim mund të dobësojë barrierën e zorrëve dhe të shkaktojë inflamacion në gjithë trupin, duke kontribuar në sëmundje kronike si sëmundja jo-alkoolike e mëlçisë së yndyrshme (NAFLD) dhe prediabeti. Studiuesit kanë identifikuar veçanërisht mikrobe si Porphyromonas gingivalis dhe Veillonella si faktorë kryesorë që përshpejtojnë dëmtimin dhe grumbullimin e yndyrës në mëlçi.

Ndryshe nga një patogjen i vetëm që shkakton infeksion, rreziku më i madh për stabilitetin metabolik vjen nga ngarkesa e vazhdueshme inflamatore e një mikrobiome orale të çekuilibruar, shpesh e nxitur nga konsumimi i lartë i sheqerit. Ndikimi në menaxhimin e peshës është po aq i rëndësishëm, pasi njerëzit me obezitet priren të kenë një grup të veçantë bakteresh orale që janë më efikase në shpërbërjen e sheqernave dhe proteinave. Ky aktivitet bakterial mund të shkaktojë ndryshime metabolike që e bëjnë humbjen e peshës më të vështirë.

Gjithashtu, nivelet më të ulëta të disa baktereve nga filumi Actinobacteria janë lidhur ngushtë me nivele më të larta të sheqerit në gjak dhe rrezik më të madh për diabet. Ekspertët theksojnë se ruajtja e higjienës së rreptë dentare nuk ka të bëjë më vetëm me parandalimin e kaviteteve; ajo është një strategji thelbësore për mbrojtjen e mëlçisë dhe menaxhimin afatgjatë të shëndetit metabolik.

Një studim i ri nga Universiteti i Mjekësisë në Sussex sugjeron se gjuha e njeriut mund të japë sinjale të hershme për dëmtimin e zemrës, sipas knoëridgesciencereport.com. Referuar shkencëtarëve, pacientët me këtë sëmundje kanë ndryshime të dallueshme në pamje dhe bakteret e gjuhës krahasuar me njerëzit e shëndetshëm.