Rolling Stones sjell albumin e ri, zbulohet data e publikimit!
Grupi legjendar,Rolling Stones kanë konfirmuar zyrtarisht se albumi i tyre i ri, i titulluar “Foreign Tongues” do të publikohet më 10 korrik. Lajmi është bërë i ditur nga grupi përmes rrjeteve sociale, duke i dhënë fund spekulimeve të ditëve të fundit. Albumi i ri vjen rreth tre vjet pas suksesit të madh të “Hackney Diamonds”, i cili fitoi edhe një çmim Grammy dhe kryesoi listat muzikore në shumë vende.
“Foreign Tongues” do të përmbajë gjithsej 14 këngë, ndërsa para publikimit do të promovohet me këngën “In the Stars”, e cila ka ritëm të gjallë dhe atmosferë energjike. Kënga është tashmë e disponueshme në platformat digjitale, së bashku me këngën hapëse të albumit “Rough and Twisted”. Ndërkohë, “In the Stars/Rough and Twisted” do të publikohet edhe në format fizik më 15 maj.
Para njoftimit zyrtar, grupi krijoi edhe më shumë kuriozitet te fansat duke publikuar në edicion të limituar “Rough and Twisted” me etiketë të bardhë, por nën pseudonimin “The Cockroaches”. Albumi është regjistruar në një periudhë të shkurtër, brenda më pak se një muaji, në Metropolis Studios në Londër, me producentin fitues të Grammy-t Andrew Watt, i cili kishte punuar edhe në albumin e mëparshëm.
Mick Jagger ka thënë se puna për albumin ishte intensive dhe se grupi kishte materiale shumë të forta. “Kishim 14 këngë fantastike dhe punuam sa më shpejt që ishte e mundur. Ishin javë shumë intensive”, është shprehur Jagger. Keith Richards ka theksuar se albumi i ri është në vazhdën e “Hackney Diamonds” dhe se atmosfera londineze ishte pjesë e rëndësishme e procesit krijues.
