1,500 beagle drejt një jete të re pas lirimit nga një qendër kërkimore
Nje operacion i madh shpëtimi është duke u zhvilluar në Wisconsin, ku rreth 1,500 qen të racës Beagle po nxirren nga një strukturë shumimi dhe kërkimi shkencor, për t’u transferuar drejt strehimoreve dhe më pas për t’u dhënë për adoptim.
Qentë, të cilët kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre në ambiente të mbyllura laboratorike, po përballen tani me një realitet krejtësisht të ri. Organizatat për mbrojtjen e kafshëve po punojnë intensivisht për t’i ndihmuar ata të përshtaten me jetën jashtë kafazeve — një proces që kërkon kujdes, durim dhe trajnim të specializuar.
Sipas grupeve të shpëtimit, shumë prej këtyre beagle-ve nuk kanë përjetuar kurrë më parë gjëra të zakonshme si ecja në bar, loja me lodra apo ndërveprimi i lirë me njerëzit. Për këtë arsye, faza e rehabilitimit konsiderohet thelbësore përpara se ata të vendosen në familje të reja.
Operacioni po realizohet në bashkëpunim me disa organizata të njohura të mirëqenies së kafshëve, përfshirë Humane Society of the United States, të cilat po koordinojnë transportin, kujdesin veterinar dhe procesin e adoptimit.
Autoritetet kanë theksuar se ky është një nga rastet më të mëdha të shpëtimit të qenve në SHBA, duke hapur një kapitull të ri për këta kafshë që për vite kanë jetuar në kushte të kufizuara.
Ndërkohë, shumë familje në të gjithë vendin kanë shprehur interes për adoptimin e tyre, duke ofruar një shans real për një jetë më të mirë për secilin prej tyre.

