Ermiona Lekbello pendohet për largimin nga Ferma VIP: “Nuk e prisja këtë mbështetje”

Ferma VIP vazhdon të prodhojë emocione edhe jashtë shtëpisë, teksa Ermiona Lekbello ka reaguar pas vendimit për t’u larguar nga gara.

Ish-konkurrentja ndërpreu rrugëtimin e saj një natë më parë, duke argumentuar se nuk ndihej rehat me atmosferën dhe energjinë mes fermerëve, faktorë që ndikuan drejtpërdrejt në vendimin për t’u tërhequr.

E ftuar në Ferma Club, Lekbello u shfaq e emocionuar dhe pranoi se tashmë është penduar për këtë hap. Sipas saj, arsyeja kryesore lidhet me reagimin e jashtëzakonshëm që ka marrë nga publiku.

Ajo tregoi se ka kaluar orë të tëra duke lexuar mesazhet në rrjetet sociale, duke mbetur e surprizuar nga mbështetja e madhe dhe dashuria që i është shprehur.

“Nuk e mendoja që do të kishte kaq shumë njerëz që më mbështesnin. Kam qëndruar deri në orët e para të mëngjesit duke lexuar mesazhet dhe nuk kam arritur t’i falënderoj të gjithë,” u shpreh ajo.

Lekbello theksoi se pendesa e saj lidhet pikërisht me publikun, pasi nuk do të jetë më pjesë e spektaklit për ta. Megjithatë, ajo la të hapur mundësinë për t’u rikthyer për të mbështetur personat e saj të preferuar në garë, duke shtuar se vlerëson një publik që nuk përkrah konfliktet dhe intrigat.