Formula 1 rikthehet në Turqi në 2027
Çmimi i Madh i Turqisë do të rikthehet në kalendarin e Formula 1 në vitin 2027, pas një mungese prej gjashtë vitesh.
Gara do të zhvillohet në pistën Istanbul Park dhe kontrata parashikon që eventi të qëndrojë aty të paktën deri në vitin 2031.
Kjo pistë është e njohur edhe për faktin se aty Lewis Hamilton siguroi titullin e tij të shtatë kampion bote në vitin 2020, duke barazuar rekordin historik.
Turqia organizoi gara të F1 nga viti 2005 deri në 2011, përpara se të largohej nga kalendari. Ajo u rikthye përkohësisht në vitet 2020-2021, kur pandemia COVID-19 detyroi F1 të ndryshonte kalendarin dhe të shtonte pista alternative.
Rikthimi i Turqisë nuk do të thotë se kalendari i F1 do të zgjerohet përtej 24 garave. Gara do të zërë vendin e eventeve të tjera kur kontratat e tyre të përfundojnë ose do të jetë pjesë e një sistemi rotacioni.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e cilësoi rikthimin si një shenjë besimi ndaj vendit, duke theksuar interesin e madh të publikut turk për Formula 1 dhe kapacitetet organizative të vendit.
Ndërsa presidenti i F1, Stefano Domenicali, u shpreh se rikthimi në Stamboll do të sjellë emocione të mëdha për tifozët, duke e cilësuar qytetin si një urë lidhëse mes Evropës dhe Azisë, me një kombinim unik historie dhe moderniteti.
