KU NDODHET MOJTABA KHAMENEI? Mungesa publike nxit dyshime për gjendjen dhe rolin e tij real

Më shumë se gjashtë javë pas marrjes së drejtimit të Iranit, Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur akoma publikisht. Mungesa e tij ka ngritur pikëpyetje në një moment kritik për vendin, teksa dyshimet lidhen me gjendjen e tij shëndetësore dhe mënyrën e drejtimit të regjimit.

Më shumë se gjashtë javë pasi u shpall udhëheqësi i ri suprem i Iranit pas vrasjes së të atit, Mojtaba Khamenei nuk është parë apo dëgjuar publikisht nga qytetarët iranianë.

Në një moment kritik, kur vendi përballet me një konflikt që kërcënon vetë mbijetesën e regjimit, mungesa e tij ka ngritur pikëpyetje të mëdha brenda dhe jashtë Iranit.

Ndryshe nga babai i tij, Ali Khamenei, i cili ishte vazhdimisht i pranishëm me fjalime dhe deklarata, lideri i ri ka komunikuar vetëm përmes mesazheve të lexuara në televizion apo postimeve në rrjete sociale.

Madje, raportime sugjerojnë përdorimin e videove të gjeneruara me inteligjencë artificiale për të simuluar paraqitjen e tij, duke shtuar dyshimet për gjendjen e tij fizike ose vendndodhjen.

Sipas burimeve të ndryshme, ai mund të jetë plagosur gjatë sulmeve që vranë babain dhe drejtues të lartë ushtarakë.

Megjithatë, raporte të tjera tregojnë se ai po merr pjesë në vendimmarrje përmes komunikimit në distancë, duke dhënë miratime për vendime strategjike, por jo për detaje operacionale.

Analistët besojnë se mungesa e tij mund të jetë e qëllimshme. Sipas tyre, sistemi politik iranian po e përdor figurën e tij si një “mburojë” për të mbrojtur negociatorët nga kritikat e brendshme.

Në këtë mënyrë, vendimet mund t’i atribuohen liderit suprem pa pasur nevojë për daljen e tij publike.

Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani po përballet me një strukturë të fragmentuar dhe se negociatorët aktualë janë më të arsyeshëm, por brenda Iranit ka tensione në rritje.

Mbështetësit e vijës së ashpër janë skeptikë ndaj negociatave me SHBA-të dhe kritikojnë çdo shenjë kompromisi.