“Final Four” 'ndez' garën/ Allaraj: Të luash në ‘Air Albania’ të motivon, por mbushja e stadiumit është më vështirë
Në një lidhje direkte për “Sport Focus” ishte gazetari sportiv Erjon Allaraj, i cili foli për fazën vendimtare të futbollit shqiptar, garën për titull, mbijetesën dhe Kombëtaren.
Sa i përket “Final Four”, ai e sheh si një format me anë pozitive dhe sfida, sidomos për sa i përket tifozëve.
“Të luash në ‘Air Albania’ është motivim për çdo lojtar, por mbushja e stadiumit është më e vështirë. Vllaznia mbetet pretendente, por gara është e hapur deri në fund.”-tha Allaraj.
Në luftën për mbijetesë, situata paraqitet edhe më e fortë, me disa skuadra të rrezikuara.
Sipas tij, Flamurtari dhe Bylisi janë më pranë rënies, ndërsa Tirana ka ndryshuar formë dhe ka më shumë shanse për të qëndruar në elitë, edhe pse rreziku nuk është zhdukur plotësisht.
Në Kategorinë e Parë, gara për ngjitje mbetet e fortë, por dy ekipet që duken më të favorizuara janë Skënderbeu dhe Laçi.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe Kukësit, që ka bërë kthesë pas merkatos së janarit dhe rezultateve pozitive në javët e fundit.
“Nga janari e deri tani kemi marrë pikë të rëndësishme. Me trajnerin e ri dhe grupin, besoj se mbijetesa është një objektiv i arritshëm.”-shtoi ai.
Në fund, Allaraj u ndal edhe te Kombëtarja, duke e cilësuar rrugëtimin në kualifikueset e Botërorit si pozitiv, pavarësisht zhgënjimit për moskualifikimin.
Ai vlerësoi arritjen në “play-off” dhe vendin e dytë në grup, ndërsa ndeshja me Poloninë mbetet një mundësi e humbur që mund të kishte ndryshuar gjithçka.

