Hyn në një dhomë dhe harron pse? Arsyeja pse mendimet zhduken kur ndryshon ambientin
Shumë njerëz e kanë përjetuar, hyn në një dhomë dhe papritur haron përse ke shkuar aty. Psikologët e quajnë këtë dukuri “doorway effect” dhe thonë se është më e zakonshme se sa mendohet.
Kur kalojmë nga një ambient në tjetrin, truri e trajton situatën si një “kapitull të ri” dhe mund të humbasë mendimet e fundit që kishim.
Psikologia Sanam Hafeez thotë se kjo ndodh më shpesh tek njerëzit që mbingarkojnë mendjen, përpiqen të bëjnë shumë gjëra njëkohësisht, janë të stresuar, apo kalojnë shpejt nga një ide në tjetrën.
Edhe njerëzit kreativë ose ata që lëvizin me energji të madhe mund ta përjetojnë këtë fenomen.
Në fakt, kjo nuk është shenjë dobësie. Shumë herë ndodh tek njerëzit me mendje aktive.
Megjithatë, nëse harresa bëhet shumë e shpeshtë, shoqërohet me konfuzion apo humbje të kujtesës për gjëra të zakonshme, është mirë të konsultohesh me një mjek.

