“Terapia hormonale nuk shkakton kancer”, gjinekologia Omeri: Ja si po ndryshon trajtimi i menopauzës
Menopauza, një fazë tërësisht e natyrshme në jetën e çdo gruaje, vazhdon të mbetet një temë tabu. Shumë gra ende ndiejnë turp të flasin për simptomat dhe ndryshimet që përjetojnë, duke hezituar të kërkojnë ndihmë mjekësore.
Ky fenomen i heshtjes bën që një cikël jetësor, i cili sjell ndryshime të mëdha fizike dhe emocionale, të kalohet në vetmi dhe me vështirësi. Sipas mjekes gjinekologe Xhensila Omeri, ky është një konstatim i përditshëm në praktikën e tyre.
E ftuar në një intervistë në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, Omeri u shpreh se një grua mund të ankohet lehtësisht për një dhimbje barku, por e ka shumë të vështirë të rendisë shqetësimet që lidhen me perimenopauzën apo menopauzën.
Për disa gra, tha mjekja, kjo fazë nuk vjen gradualisht, por shkakton ndryshime të vrullshme që ulin në mënyrë drastike cilësinë e jetës.
Ato shpesh nuk e njohin më trupin dhe veten e tyre, pavarësisht se rutina dhe streset e përditshme mbeten të njëjta, për shkak të luhatjeve dhe ndryshimeve të thella në boshtet hormonale.
Për fat të mirë, shkenca dhe mjekësia kanë avancuar, duke ofruar zgjidhje për menaxhimin e simptomave.
Megjithatë, një nga trajtimet më efikase, terapia hormonale zëvendësuese (THZ), ka qenë prej kohësh e stigmatizuar.
Deri pak kohë më parë, kjo terapi konsiderohej e gabuar dhe e rrezikshme, pasi mendohej se mund të rriste rrezikun e sëmundjeve kanceroze te gratë. Kjo frikë ka bërë që shumë gra t’i shmangen trajtimit që mund t'ua lehtësonte ndjeshëm këtë periudhë.
Së fundmi, tha Omeri, ky perceptim ka ndryshuar rrënjësisht. Një lëvizje e gjerë e mjekëve gjinekologë dhe urologë, e mbështetur nga studimet më të fundit, ka çuar në një rishikim të plotë të situatës. Agjencia Amerikane e Barnave (FDA) i është përgjigjur kërkesave për të rishikuar efektet anësore të terapisë hormonale, duke hedhur poshtë mitin e vjetër.
Mjekja Omeri konstatoi se lidhja mes estrogjenit shtesë dhe kancerit të gjirit nuk ishte e drejtpërdrejtë, pasi ky lloj kanceri shfaqet edhe te gratë në menopauzë që nuk marrin asnjë terapi dhe që kanë nivele tejet të ulëta estrogjeni natyral.
Teoria se terapia hormonale shkaktonte kancer tashmë konsiderohet e rrëzuar. Sot, terapia hormonale zëvendësuese u propozohet të gjitha grave që konsiderohen kandidate të përshtatshme, pas një vlerësimi të kujdesshëm të raportit rrezik-përfitim nga ana e mjekut.
Kjo kthesë shkencore ofron një mundësi të re për gratë që të kalojnë menopauzën me një cilësi jete më të mirë, duke thyer heshtjen dhe duke menaxhuar simptomat në mënyrë efektive.
NDIQNI EMIISONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”

