“HEROI” NË PRANGA/ Ushtari australian akuzohet për krime lufte në Afganistan
Ushtari më i dekoruar i gjallë i Australisë, është arrestuar dhe akuzohet se ka kryer krime lufte në Afganistan. Autoritete thonë se kishte vrarë disa afganë të paarmatosur të burgosur ndërsa vetë 47-vjeçari mohon të gjitha akuzat.
Ushtari më i dekoruar i gjallë i Australisë, Ben Roberts-Smith, është arrestuar dhe pritet të përballet me drejtësinë për akuza të rënda për krime lufte të dyshuara në në Afganistan.
Ish-kaporali i forcave elitë , dhe fitues i medaljes më të lartë ushtarake , u ndalua në aeroportin e Sidneit dhe do të përballet me pesë akuza për vrasje, që lidhen me ngjarje të ndodhura gjatë shërbimit të tij mes viteve 2009 dhe 2012.
Ai dyshohet se ka vrarë të burgosur të paarmatosur ose ka urdhëruar vartësit e tij të kryejnë këto akte gjatë operacioneve ushtarake.
Rasti vjen pas një hetimi të gjatë, ku u zbuluan prova të besueshme për vrasje të paligjshme nga forcat speciale australiane në Afganistan.
Në vitin 2023, një gjykatë civile vendosi se Roberts-Smith kishte marrë pjesë në disa vrasje të afganëve të paarmatosur, megjithatë ai i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si të rreme dhe shpifëse.
Arrestimi i tij konsiderohet një moment historik për drejtësinë australiane, pasi është ndër rastet e para ku një ushtar i nivelit të lartë përballet me akuza penale për veprime gjatë luftës.
Autoritetet theksojnë se këto raste lidhen me një numër shumë të kufizuar individësh dhe nuk përfaqësojnë shumicën e forcave të armatosura australiane.
Procesi gjyqësor pritet të jetë kompleks dhe me interes të lartë publik, ndërsa vëmendja ndërkombëtare mbetet e përqendruar te zhvillimet e mëtejshme.
