PAQE PËR PASHKË/ Presidenti Volodymyr Zelensky bën thirrje drejtuar Moskës

Presidenti ukrainas ka propozuar një armëpushim me Rusinë për Pashkë, por dyshon në gatishmërinë e Rusisë. Ndërkohë, luftimet dhe tensionet politike vazhdojnë në disa fronte.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka ripërsëritur thirrjen për një armëpushim të ndërsjellë me Rusinë, duke kërkuar ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, në prag të Pashkëve Ortodokse që festohen më 13 prill.

Ky propozim i është përcjellë palës ruse nëpërmjet amerikanëve, shtoi Zelensky teksa shprehu skepticizëm për pranimin e saj.

"Ne i kemi kërkuar vazhdimisht një armëpushim të paktën për Pashkë. Por për ta, të gjitha kohërat janë njësoj. Asgjë nuk është e shenjtë."

Pas një sulmi gjatë natës në portin e Odesës, ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën të paktën 16, ai deklaroi se Rusia nuk duket e gatshme për paqe.

Ndërkohë Rusia pretendon se dronë ukrainas kanë sulmuar terminalin e naftës të Caspian Pipeline Consortium, duke shkaktuar dëme dhe zjarre në rezervuarë.

Nga ana tjetër, ushtria ukrainase deklaroi se kishte shënjestruar një terminal tjetër në portin e Novorossiysk. Ky rrjet transporti është jetik, pasi përpunon rreth 1% të furnizimit global me naftë dhe pjesën më të madhe të eksporteve të Kazakistanit.

Ndërkohë në Australi, një rezervist i ushtrisë është arrestuar dhe akuzuar se ka shërbyer si operator dronësh për Ukrainën pa autorizim. 25-vjeçari, i cili kishte udhëtuar atje në vitin 2025 dhe u kthye në fillim të 2026, do të përballet me deri në 20 vite burg nëse shpallet fajtor.