Astronautët e Artemis” do të studiojnë Hënën kryesisht me sytë e tyre
Më shumë se 50 vjet pasi njerëzit fluturuan për herë të parë rreth Hënës, astronautët e misionit “Artemis” do të përsërisin këtë arritje duke përdorur një “instrument” shumë bazë për studim, sytë e tyre.
Pavarësisht avancimeve teknologjike që nga epoka e “Apollo”-s, NASA vazhdon të mbështetet tek shikimi njerëzor për të kuptuar më mirë sipërfaqen hënore.
Sipas shkencëtares kryesore të misionit “Artemis 2”, Kelsey Young, syri i njeriut është një nga “kamerat” më të mira që ekzistojnë. Ajo thekson se numri i receptorëve në syrin e njeriut tejkalon atë që mund të ofrojë një kamerë, duke i dhënë një avantazh unik në perceptimin e detajeve.
Edhe pse kamerat moderne janë më të avancuara në disa aspekte, syri i njeriut mbetet superior në dallimin e ngjyrave, kontekstit dhe mënyrës si drita ndikon mbi sipërfaqet. Astronautët mund të vërejnë ndryshime të lehta në ngjyra dhe të kuptojnë më mirë strukturën e terrenit, diçka që shpesh është e vështirë të kapet vetëm përmes fotografive.
Astronauti Victor Glover e përshkroi syrin si një “instrument magjik”, duke nënvizuar rëndësinë e vëzhgimit njerëzor gjatë misionit. Për këtë arsye, ekuipazhi i Artemis 2 ka kaluar më shumë se dy vite në trajnim intensiv për t’u kthyer në “shkencëtarë të terrenit”.
Trajnimi përfshiu mësime teorike, ekspedita gjeologjike në Islandë dhe Kanada, si dhe simulime të shumta të fluturimeve rreth Hënës. Astronautët mësuan përmendësh edhe “15 tiparet kryesore” të Hënës, që do t’i ndihmojnë të orientohen dhe të bëjnë vëzhgime të sakta gjatë misionit.
Një nga pyetjet kryesore shkencore është nëse ata do të arrijnë të dallojnë nuanca ngjyrash në sipërfaqe, si kafe apo bezhë, që mund të japin informacion të vlefshëm për përbërjen dhe historinë e saj.
Megjithëse nuk priten zbulime revolucionare për shkak të të dhënave të shumta nga misionet e mëparshme, përshkrimet direkte nga astronautët pritet të jenë të veçanta. Për shumë njerëz në Tokë, do të jetë hera e parë pas dekadash që dëgjojnë përshkrime të drejtpërdrejta nga një fluturim rreth Hënës, një përvojë që NASA planifikon ta transmetojë live për publikun.

