FORMULA 1 NË KRIZË RREGULLASH! Debate për garat, kualifikimet dhe sigurinë pas ndryshimeve

Formula 1 po përballet me kritika të forta pas ndryshimeve të mëdha në rregullore këtë sezon. Pilotët dhe ekspertët kanë ngritur shqetësime për mënyrën e re të garimit dhe ndikimin në performancë. Ndryshimet në motorë dhe menaxhimin e energjisë kanë krijuar debate mbi autenticitetin e sportit, ndërkohë, incidentet në pistë kanë rikthyer në fokus edhe çështjet e sigurisë.

Pas tre garave të para të sezonit, Formula 1 ndodhet përballë një prej debateve më të mëdha të viteve të fundit.

Ndryshimet në rregullore, veçanërisht në motorët me ndarje 50-50 mes energjisë elektrike dhe asaj tradicionale, kanë transformuar mënyrën e garimit në pistë.

Kjo ka sjellë një stil të ri garash, ku makinat kalojnë dhe rikthehen vazhdimisht përpara njëra-tjetrës, duke krijuar atë që disa pilotë e quajnë “garim artificial”.

Max Verstappen e ka kritikuar ashpër këtë sistem, ndërsa pilotë të tjerë si Lewis Hamilton e kanë vlerësuar si një formë më dinamike dhe më tërheqëse për publikun.

Megjithatë, një nga shqetësimet kryesore mbetet kualifikimi, ku pilotët nuk mund të japin më maksimumin për shkak të menaxhimit të energjisë.

Në disa pista, ata janë detyruar të ngadalësojnë qëllimisht për të ruajtur baterinë, duke ndryshuar natyrën e sfidës në pistë.

Një tjetër problem serioz lidhet me sigurinë, pasi diferencat e mëdha të shpejtësisë mes makinave mund të çojnë në incidente të rrezikshme.

Aksidenti i Oliver Bearman në Japoni ka risjellë këto shqetësime, duke nxjerrë në pah rrezikun nga ndryshimet e papritura të shpejtësisë në pistë.

Pilotët kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga FIA për të rishikuar rregullat, ndërsa paralajmërojnë se problemet nuk lidhen vetëm me kualifikimin, por edhe me garën.

Zgjidhjet nuk duken të thjeshta, pasi rregullat aktuale janë komplekse dhe çdo ndryshim mund të sjellë pasoja të tjera në performancë dhe siguri.

Drejtuesit e Formula 1 pritet të zhvillojnë takime në javët në vijim për të gjetur zgjidhje afatshkurtra dhe afatgjata.