MIAMI, TEST PËR MCLAREN! Formula 1, Mercedes kryeson me diferencë të madhe

Formula 1 rikthehet në Miami pas një muaji. McLaren synon të rikuperojë diferencën ndaj Mercedes dhe Ferrari në renditje.

Një muaj para garës së Formula 1 në Miami, vëmendja është përqendruar te rikthimi i mundshëm i McLaren në garën për fitore, pas një fillimi sezoni jo në pritshmëri. Gara në SHBA do të shoqërohet edhe me formatin Sprint, duke e bërë fundjavën edhe më të rëndësishme për renditjen e përgjithshme.

Pas progresit të treguar në Suzuka, Ferrari dhe Mercedes mbeten aktualisht forcat kryesore në kampionat, ndërsa McLaren synon të rikthehet në nivel konkurrues. Një vit më parë, skuadra britanike dominoi në Miami, duke fituar si Sprintin ashtu edhe Çmimin e Madh, me Lando Norris dhe Oscar Piastri në krye të renditjes.

Megjithatë, këtë sezon situata paraqitet më sfiduese. McLaren ndodhet ndjeshëm pas rivalëve në klasifikimin e konstruktorëve, me vetëm 46 pikë, krahasuar me 90 të Ferrarit dhe 135 të Mercedesit, që kryeson renditjen. Ky hendek e bën të domosdoshëm një reagim të menjëhershëm nga skuadra e drejtuar nga Andrea Stella.

Në Miami, McLaren ka avantazhin e kujtimeve të mira dhe performancës së fortë të vitit të kaluar, çka rrit pritshmëritë për një rikthim. Një performancë e mirë mund të ndikojë ndjeshëm në balancat e kampionatit dhe të rihapë garën për vendet e para.

Nga ana tjetër, një duel i mundshëm mes McLaren dhe Ferrari mund të favorizojë indirekt Mercedesin, i cili aktualisht kryeson me diferencë të konsiderueshme. Në këtë kontekst, vëmendja është edhe te pilotët si Kimi Antonelli dhe George Russell, të cilët po udhëheqin një sezon konkurrues.

Gara në Miami pritet të jetë një moment kyç për zhvillimin e sezonit, duke përcaktuar nëse McLaren do të rikthehet në luftën për titull apo nëse dominimi i Mercedes do të vazhdojë.