HETIM NDAJ SEPHORA DHE BENEFIT! Përpjekje për t’u shitur produkte kundër plakjes fëmijëve nën 10 vjeç

Autoriteti italian i konkurrencës po heton Sephora dhe Benefit. Dyshohet se marketingu i tyre synon fëmijët dhe nxit përdorimin e kozmetikës në moshë të hershme.

Autoriteti italian i konkurrencës ka nisur një hetim ndaj markave të njohura të bukurisë Benefit dhe Sephora, në pronësi të gjigantit LVMH, për dyshime mbi praktika të padrejta tregtare që synojnë fëmijët. Hetimi lidhet me përdorimin e influencuesve të rinj për promovimin e produkteve kozmetike tek moshat shumë të vogla.

Sipas AGCM, kompanitë mund të kenë përdorur strategji të fshehta marketingu për të nxitur blerjen e produkteve si serume, maska fytyre dhe kremra kundër plakjes nga fëmijë nën moshën 10 vjeç.

Autoritetet dyshojnë se këto praktika kanë kontribuar në përhapjen e fenomenit të ashtuquajtur “kosmetikorexia”, një obsesion i pashëndetshëm me kujdesin për lëkurën në moshë të hershme.

Në kuadër të hetimit, zyrtarë të AGCM dhe policia financiare italiane kanë kryer kontrolle në selitë e LVMH dhe Sephora në Itali. Sipas autoritetit, kompanitë mund të mos kenë bërë të qartë se produktet nuk janë të përshtatshme për fëmijë, duke i paraqitur ato në mënyrë të paqartë ose potencialisht mashtruese.

Fenomeni është përforcuar edhe nga rrjetet sociale, ku qindra video tregojnë fëmijë që blejnë dhe ekspozojnë produkte kozmetike nën etiketa si “Sephora kids haul” apo “Get Ready With Me”. Sephora, me miliona ndjekës në platforma si Instagram dhe TikTok, është në qendër të këtij trendi.

Ekspertët dhe Shoqata Britanike e Dermatologëve paralajmërojnë se përdorimi i këtyre produkteve nga fëmijët mund të shkaktojë irritime, reaksione alergjike dhe në disa raste edhe dëme të përhershme në lëkurë.

Nga ana e saj, LVMH ka deklaruar se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet italiane dhe ka theksuar se kompanitë e saj respektojnë rregulloret në fuqi. Hetimi vijon për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje dhe çfarë masash do të merren.