Kosovë–Turqi, më shumë se lojë, Kuçi: 90 minuta që reflektojnë partneritetin strategjik

Kosova do të përballet të martën me Turqinë. Sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçit, ajo do të jetë një ndeshje futbolli që shkon përtej aspektit sportiv, duke reflektuar marrëdhëniet e qëndrueshme dhe partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve, raporton KosovaPress.

Ai vlerëson se raportet mes Kosovës dhe Turqisë nuk janë thjesht formale, por të ndërtuara ndër vite përmes bashkëpunimit konkret dhe besimit të ndërsjellë.

Sipas tij, kjo lidhje është e dukshme jo vetëm në diplomaci, por edhe në fushën e sigurisë, ku të dyja vendet kontribuojnë në kuadër të NATO për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Ndeshja nuk është vetëm sport. Për 90 minuta, ajo pasqyron respektin dhe afrimin mes dy popujve, jo vetëm në fushë, por edhe përtej saj – në ekonomi, turizëm dhe bashkëpunim të gjerë,” thuhet në shkrimin e tij në Facebook.

Kuçi apelon për unitet dhe për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit strategjik, duke theksuar se raportet e ndërtuara mbi besim dhe partneritet duhet të ruhen dhe të forcohen.

Ai shton se çdo përpjekje për ta kthyer këtë moment në përçarje është e panevojshme dhe nuk i shërben interesave të asnjë pale, duke bërë thirrje për shmangie të narrativave që mund të dëmtojnë marrëdhëniet.

Kuçi rikujton se shtetndërtimi i Kosovës është mbështetur nga partnerë ndërkombëtarë, ku përveç Turqisë, rol të rëndësishëm kanë pasur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar.

Të enjten, Kosova ka shkruar një nga faqet më të bukura të historisë së saj futbollistike, duke triumfuar me përmbysje spektakolare 3-4 ndaj Sllovakisë në Bratislavë, në një ndeshje dramatike dhe plot emocione që e dërgon në finalen e madhe të “play-off”-it për Kampionatin Botëror.

Me këtë fitore, Kosova siguron finalen e “play-off”-it, ku do të përballet me Turqinë më 31 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” , në një ndeshje historike që mund të përcaktojë fatin e kualifikimit në Botëror. /Kosovapress