Gatimi në shtëpi një herë në javë mund të ulë rrezikun e demencës tek të moshuarit

Një studim i kryer me 11,000 japonezë mbi 65 vjeç tregoi se ata që gatuanin të paktën një herë në javë kishin 30% më pak gjasa të zhvillonin demencë. Për ata me pak përvojë gatimi, përfitimi mund të arrinte deri në 70%, pasi ndjekja e recetave stimulon aftësitë mendore.

Dr. Yukako Tani nga Instituti i Shkencës në Tokio tha se sa më shpesh të gatuaje dikush, aq më i ulët ishte rreziku i demencës, veçanërisht për ata me pak aftësi gatimi. Përgatitja e ushqimit për të moshuarit jo vetëm që përbën aktivitet fizik, por stimulojnë edhe mendjen dhe shpesh prodhon vakte më të shëndetshme, pa aditivët e ushqimeve të përpunuara.

Studimi përdori të dhëna nga 10,978 persona të ndjekur për gjashtë vite në kuadër të Japan Gerontological Evaluation Study. Një e pesta e pjesëmarrësve ishte mbi 80 vjeç dhe gjysma gra. Gjatë studimit, 1195 persona zhvilluan demencë.

Pjesëmarrësit plotësuan pyetësorë mbi frekuencën e gatimit në shtëpi dhe aftësitë kulinare u vlerësuan mbi shtatë faktorë, si aftësia për të qëruar fruta e perime ose përgatitur pjata si gjellët.

Gati gjysma e pjesëmarrësve gatuan të paktën pesë herë në javë, gratë dhe ata me përvojë në gatim, më shumë se burrat dhe fillestarët. Prof. Eef Hogervorst nga Universiteti i Loughborough-it theksoi se gatimi është një aktivitet kompleks që kërkon organizim, kujtesë dhe aftësi financiare, dhe mund të ndihmojë në ruajtjen e funksioneve mendore.

Dr. Susan Kohlhaas nga Alzheimer’s Research UK vuri në dukje se studimi tregon një lidhje të mundshme mes gatimit në shtëpi dhe rrezikut të demencës, por nuk provon se gatimi vetë ndikon direkt. Megjithatë, mbajtja e një jete aktive, dieta e mirë dhe lidhjet sociale ndihmojnë shëndetin e trurit.

Gatimi në shtëpi një herë në javë mund të

/ Mirror – Syri.net