“LUFTA” E DOBËSIMIT! Ilaçet për peshën përplasin gjigantët farmaceutikë dhe çmimet bien

Një garë e fortë mes kompanive farmaceutike në SHBA po ul çmimet e ilaçeve për humbje peshe, ndërsa miliona pacientë vazhdojnë të përballen me kosto të larta dhe mungesë mbulimi nga sigurimet.

Një betejë e ashpër po zhvillohet në tregun amerikan të ilaçeve për humbje peshe.

Barnat e njohura si Zepbound, Wegovy dhe Mounjaro po transformojnë mënyrën si trajtohet obeziteti, por edhe mënyrën si shiten ilaçet.

Në SHBA, ku rreth 40 për qind e të rriturve janë obezë, kërkesa është shpërthyese. Fillimisht, çmimet ishin marramendëse, mbi 1 mijë dollarë në muaj.

Por sot, për shkak të konkurrencës së fortë mes kompanive farmaceutike, ato kanë nisur të bien ndjeshëm.

Disa trajtime tashmë ofrohen për më pak se 150 dollarë në muaj për pacientët që paguajnë vetë. Kjo rënie çmimesh nuk është rastësi. Kompanitë po shmangin ndërmjetësit tradicionalë dhe po shesin direkt te pacientët, duke krijuar një model të ri tregu.

Por pavarësisht uljes së çmimeve, ilaçet mbeten të paarritshme për shumë njerëz. Shumë kompani sigurimesh refuzojnë t’i mbulojnë këto trajtime kur përdoren vetëm për humbje peshe.

Kjo ka detyruar pacientët të bëjnë sakrifica të mëdha financiare, duke reduktuar shpenzimet ditore për të përballuar terapinë.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo “luftë tregu” mund të jetë vetëm një zgjidhje afatshkurtër. Sepse në fund, sfida mbetet e njëjtë si të bëhen këto trajtime të aksesueshme për të gjithë, jo vetëm për ata që mund të paguajnë.