“Do shtypen”/ Trump refuzon propozimin e Netanyahu-n për t'u bërë thirrje iranianëve për t'u rebeluar ndaj qeverisë
Donald Trump ka refuzuar një ide të propozuar nga Benjamin Netanyahu për t’u bërë thirrje publikisht iranianëve që të dalin në protesta kundër qeverisë së tyre.
Sipas raportimeve nga Axios, Trump e ka parë një veprim të tillë si shumë të rrezikshëm, pasi mund të çonte në përplasje të dhunshme dhe viktima mes qytetarëve.
Ai ka shprehur shqetësimin se protestuesit mund të shtypen nga autoritetet në Iran.
Edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe Izrael janë në një linjë për shumë çështje që lidhen me konfliktin, duket se kanë qëndrime të ndryshme për mënyrën si duhet trajtuar situata brenda Iranit. Izraeli shihet se kërkon të rrisë presionin ndaj regjimit, ndërsa pala amerikane tregohet më e kujdesshme dhe nuk e ka ndryshimin e regjimit si objektiv kryesor.
Ndërkohë, operacionet izraelite kanë goditur figura të rëndësishme të sigurisë në Iran, mes tyre Ali Larijani dhe Gholamreza Soleimani, me synimin për të dobësuar strukturat që mund të përballen me trazira të mundshme.
Në bisedat mes dy liderëve, Netanyahu ka parë një moment për të shtuar presionin dhe për të nxitur reagim nga brenda vendit, ndërsa Trump ka mbajtur një qëndrim më të kujdesshëm, duke parë rrezikun e përshkallëzimit dhe humbjes së jetëve.
Në këtë situatë, ndërsa tensionet mbeten të larta, SHBA po lë të hapur edhe mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike, ndërsa Izraeli mbetet skeptik për një marrëveshje të shpejtë.

