TARIFA SHTESË PËR TË KALUAR NË HORMUZ! Projektligji po diskutohet nga Irani për anijet që kalojnë në ngushticë
Teksa Bota po përballet me rritjen e çmimeve të karburanteve për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme. Irani duket se ka ndërmend të përfitojë ekonomikisht nga kjo situatë. Raportohet se ligjvënësit atje po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së një tarife shtesë për çdo anije që do të kalojë në ngushticën e Hormuzit.
Irani po shqyrton një projektligj që parashikon vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret detare më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë. Sipas agjencisë gjysmëzyrtare ISNA, iniciativa synon që vendet që përfitojnë nga siguria e tranzitit në këtë zonë të paguajnë tarifa dhe taksa ndaj Iranit.
Një deputet nga Teherani deklaroi se propozimi lidhet me përdorimin e ngushticës si “kalim i sigurt” për transportin detar, energjinë dhe zinxhirët e furnizimit me ushqim.
Sipas tij, shtetet që mbështeten në këtë rrugë strategjike duhet të kontribuojnë financiarisht ndaj Iranit për shërbimet dhe sigurinë që ofrohet në këtë korridor.
Kjo nismë vjen në një moment përshkallëzimi të tensioneve në rajon, pas ofensivës së përbashkët të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit më 28 shkurt. Sipas raportimeve, nga këto sulme kanë humbur jetën rreth 1.300 persona, përfshirë edhe udhëheqësin suprem të atëhershëm, Ali Khamenei.
Në përgjigje, Irani ka ndërmarrë sulme me dronë dhe raketa në disa zona të rajonit, ndërsa ka ndërprerë qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit. Kjo rrugë detare përpunon zakonisht rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë dhe rreth 20 për qind të tregtisë globale të gazit natyror të lëngshëm.
Mbyllja e kësaj ngushtice ka shkaktuar luhatje të forta në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe ka rritur shqetësimet për furnizimin global. Ekspertët paralajmërojnë se çdo ndryshim i mëtejshëm në statusin e këtij korridori strategjik mund të ketë pasoja të gjera ekonomike dhe gjeopolitike.
Nëse miratohet, projektligji për tarifat mund të ndryshojë ndjeshëm mënyrën e përdorimit të një prej arterieve më të rëndësishme të tregtisë globale, duke shtuar kostot për transportin ndërkombëtar dhe duke rritur tensionet në rajon.

