U PËRGATIT PËR SKENARË EKSTREMË! Danimarka forcoi praninë ushtarake në Groenlandë

Danimarka përgatiti plane ekstreme për të mbrojtur Groenlandën nga një pushtim i mundshëm amerikan. Tensionet u rritën pas deklaratave të Trump dhe zhvillimeve ndërkombëtare.

Danimarka ka përgatitur në mënyrë të fshehtë plane për të shkatërruar pistat kryesore të aeroporteve në Greenland në rast të një pushtimi të mundshëm nga Shtetet e Bashkuara.

Ky zhvillim vjen në një periudhë tensionesh të larta mes Kopenhagës dhe Uashingtonit, të nxitura nga deklaratat e vazhdueshme të presidentit amerikan Donald Trump për marrjen nën kontroll të ishullit strategjik.

BBC raporton se sipas burimeve të nivelit të lartë në qeverinë dhe ushtrinë daneze, si dhe aleatëve evropianë, trupat daneze të dërguara në Groenlandë në janar ishin të përgatitura për skenarë ekstremë.

Përveç përforcimeve ushtarake, u transportuan edhe rezerva gjaku për trajtimin e të plagosurve në rast përleshjesh.

Raporti u konfirmua më vonë edhe nga zyrtarë evropianë.

Situata u përshkallëzua që pas operacionit të befasishëm amerikan në Venezuelë, ku u kap presidenti Nicolás Maduro.

Kjo rriti shqetësimet në Danimarkë se një veprim i ngjashëm mund të ndodhte edhe në Groenlandë. Në përgjigje, Danimarka kërkoi mbështetje politike dhe ushtarake nga vende si Franca dhe Gjermania, duke intensifikuar bashkëpunimin në rajon.

Një kontingjent i vogël trupash nga disa vende evropiane u dërgua në kryeqytetin Nuuk dhe në Kangerlussuaq, nën justifikimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të quajtura “Operation Arctic Endurance”. Megjithatë, sipas raportit, qëllimi real ishte përgatitja për një skenar të mundshëm përballjeje me SHBA-në.

Në këtë kuadër, një nga planet më drastike ishte shkatërrimi i pistave të aeroporteve për të penguar zbarkimin e avionëve ushtarakë amerikanë.

Burimet pranojnë se forcat daneze nuk do të ishin në gjendje të ndalonin një ofensivë të plotë amerikane, por synimi ishte rritja e kostos dhe vështirësisë së një operacioni të tillë.

Ndërkohë, Trump ka zbutur retorikën, duke deklaruar se nuk dëshiron përdorimin e forcës dhe se synon negociata për një zgjidhje.

Megjithatë, çështja e Groenlandës vazhdon të mbetet një pikë e ndjeshme që ka shkaktuar përçarje mes aleatëve të NATO-s dhe ka ngritur pyetje serioze mbi sigurinë dhe stabilitetin në rajonin Arktik.