ZGJEDHJET NË KOSOVË, EDHE 4 NËN HETIM/ Dyshohet për ndërhyrje në sistemin e KQZ

Prokuroria në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për manipulim të votave në Shtime. Rasti lidhet me parregullsitë e konstatuara gjatë rinumërimit të zgjedhjeve parlamentare.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, të dyshuar për manipulim të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Shtime, gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në dhjetor 2025.

Të pandehurit, të identifikuar me inicialet Y.S., B.V., Sh.B. dhe R.R., akuzohen se më 30 dhjetor kanë vepruar në bashkëpunim, duke shkelur rregullat dhe procedurat zgjedhore, me qëllim shtrembërimin e rezultatit të votave për kandidatët për deputetë.

Sipas aktakuzës, Y.S. dyshohet se ka lexuar dhe komunikuar në mënyrë të pasaktë votat nga fletëvotimet, ndërsa B.V. akuzohet se, duke pasur akses në sistemin elektronik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka regjistruar të dhëna të pasakta pa lejuar verifikim nga anëtarët e tjerë të ekipit.

Ndërkohë, Sh.B. dhe R.R. dyshohet se, edhe pse të pranishëm në procesin e numërimit dhe verifikimit, nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar apo korrigjuar parregullsitë, duke lejuar regjistrimin e rezultateve të pasakta.

Prokuroria thekson se përmes këtij mekanizmi të organizuar janë krijuar mospërputhje të theksuara në rezultatet e votimit, të cilat u zbuluan gjatë procesit të rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, duke cenuar integritetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor.

Hetimet për manipulim votash janë zhvilluar në disa rajone të Kosovës, përfshirë Prizrenin, Malishevën, Podujevën, Ferizajn dhe Mitrovicën, ku dhjetëra persona janë ndaluar dhe qindra të tjerë janë marrë në pyetje.

Edhe pse rinumërimi evidentoi shumë parregullsi, ai nuk ndikoi në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve apo në shpërndarjen e mandateve për deputetët.

Autoritetet kanë theksuar se rasti i 28 dhjetorit konsiderohet ndër proceset më të kompromentuara zgjedhore, duke nxitur hetime të gjera dhe masa ligjore ndaj personave përgjegjës.