Kosova dhe Shqipëria cilësohen si vende “pjesërisht të lira” nga Freedom House
Shqipëria ka shënuar përmirësim në raportin e “Freedom House” për vitin 2026, por mbetet në kategorinë e vendeve “pjesërisht të lira”, duke u renditur e para në rajon. Raporti thekson se korrupsioni, ryshfeti dhe polarizimi politik mbeten sfidat kryesore, pavarësisht progresit në të drejtat dhe liritë.
Shqipëria ka shënuar rritje në vlerësimin e organizatës “Freedom House” mbi të drejtat politike dhe liritë qytetare, por mbetet në kategorinë e vendeve “pjesërisht të lira”, sipas raportit të fundit.
Vendi ynë vlerësohet me 69 pikë nga 100 pikë gjithsej, duke grumbulluar një pikë më shumë në krahasim me të dhënat e vitit të kaluar.
Në kategorinë e të drejtave politike Shqipëria ka 28 nga 40 pikë të mundshme, ndërsa për liritë qytetare vendi ynë vlerësohet me 41 pikë nga 60 maksimale.
Freedom House” theksin polarizimin politik dhe korrupsionin e ryshfetin si problem
Freedom House: Shqipëria ka një rekord zgjedhjesh konkurruese, megjithëse partitë politike janë shumë të polarizuara dhe shpesh të organizuara rreth personaliteteve kryesore. Liria fetare dhe liria e tubimit në përgjithësi respektohen. Korrupsioni dhe ryshfeti mbeten probleme të mëdha, megjithëse qeveria po punon për të adresuar korrupsionin në gjyqësor”
Shqipëria, qëndron në krye të listës së vendeve të Ballkanit Perëndimore, e ndjekur nga Mali i Zi me 68 pikë dhe Maqedonia e Veriut me 67 pikë. Serbia renditet e fundit me 53 pikë.
Edhe Kosova ka shënuar një përmirësim në Raportin e vitit 2026 për Lirinë në Botë, duke u vlerësuar me 61 pikë nga 100 gjithsej, një pikë më shumë se një vit më parë.
Raporti vlerëson se kriza politike dhe institucionale që goditi Kosovën gjatë vitit të kaluar, kur vendi u qeveris pothuajse tërë kohën nga një qeveri në detyrë, ka ndikuar në përparimin e vendit në gjyqësor.
Raporti Liria në Botë përfshin vlerësime në 195 vende të botës dhe mbulon zhvillimet nga 1 janari 2025 deri më 31 dhjetor 2025.
“Freedom House” vlerëson se 54 vende përjetuan përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive qytetare, ndërsa vetëm 35 shënuan përmirësime.
Vetëm 21 për qind e popullsisë së botës jeton në vende të vlerësuara si të lira, një rënie nga 46 për qind që ishte para dy dekadash, thuhet në raportin e organizatës me bazë në Uashington.
Si renditen vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?
Nga vendet e rajonit, Serbia qëndron më së keqi, pasi vlerësohet me 53 pikë, ndërsa Bosnja e Hercegovina me 54 pikë.
Shqipëria, ndërkohë, vlerësohet më së larti, me 69 pikë, e ndjekur nga Mali i Zi me 68 pikë dhe Maqedonia e Veriut me 67 pikë.
Edhe Shqipëria shënoi përparim për një pikë, krahasuar me raportin e vitit të kaluar.
Raporti Liria në Botë përfshin vlerësime dhe raporte për vendet mbi të drejtat politike dhe liritë qytetare në 195 vende dhe 13 territore në mbarë botën.
Raporti i këtij viti mbulon zhvillimet nga 1 janari 2025 deri më 31 dhjetor 2025.
Puçet ushtarake, dhuna kundër protestuesve paqësorë dhe përpjekjet për të dobësuar garancitë kushtetuese gjatë vitit 2025, bënë që ky të ishte viti i 20-të radhazi të rënies së lirisë globale, sipas raportit nga Freedom House.
Raporti zbuloi se 54 vende përjetuan përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive qytetare, ndërsa vetëm 35 shënuan përmirësime.
Sot, vetëm 21 për qind e popullsisë së botës jeton në vende të vlerësuara si të lira, një rënie nga 46 për qind që ishte para dy dekadash, thuhet në raport.
Guinea-Bissau, Tanzania, Burkina Faso, Madagaskari dhe El Salvadori shënuan rëniet më të mëdha të pikëve brenda një viti, ndërsa Siria, Sri Lanka, Bolivia dhe Gaboni gëzuan përmirësimet më të mëdha.
Tri vende - Bolivia, Fixhi dhe Malaui - u përmirësuan nga statusi “pjesërisht të lira” në “të Lira”, falë zgjedhjeve konkurruese, rritjes së pavarësisë së gjyqësorit dhe forcimit të sundimit të ligjit.



