Zelensky në Britaninë e Madhe për forcimin e bashkëpunimit ushtarak kundër dronëve, nesër në Spanjë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Londër për të zhvilluar takime me kryeministrin britanik, Keir Starmer dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO, Mark Rutte, njoftoi sot zëdhënësi i presidencës ukrainase.

”Zelensky pritet gjithashtu të takohet me mbretin Charles III në Pallatin Buckingham dhe t’u drejtohet anëtarëve të parlamentit britanik”, bëri të ditur zëdhënësi Sergi Nykyforov.

Downing Street ka njoftuar paraprakisht se Britania e Madhe dhe Ukraina synojnë të nënshkruajnë një partneritet në fushën e mbrojtjes, i cili synon ndër të tjera përmirësimin e përgjigjes ndaj kërcënimit nga dronët me kosto të ulët.

Presidenti ukrainas kërkon të vërë në pah përvojën që vendi i tij ka fituar në interceptimin e dronëve të prodhimit iranian, të cilët Rusia i përdor për sulme të përditshme ndaj Ukrainës dhe që, sipas tij, po përdoren gjithashtu nga Irani kundër vendeve të Gjirit.

Ndërkohë, lufta në Lindjen e Mesme ka ndërprerë përpjekjet diplomatike të udhëhequra muajt e fundit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, e cila po përballet me pushtimin rus prej më shumë se katër vitesh. Zelensky pritet të vizitojë nesër Spanjën.