Izraeli kryen një sulm ajror pranë aeroportit të Bejrutit
Sipas medieve shtetërore, ushtria izraelite ka ndërmarrë sot një sulm ajror pranë aeroportit të Bejrutit, pas disa goditjeve të mëparshme që kishin në shënjestër zonën gjatë ditës, sipas Euronews.tv.
Avionët luftarakë izraelitë kryen një tjetër sulm, të tretin brenda ditës, në periferinë jugore të kryeqytetit libanez.
Objektiv i sulmit ishte rruga e vjetër që të çon drejt aeroportit, pranë stadiumit “Ansar” në zonën Burj al-Barajneh, vetëm pak distancë nga aeroporti ndërkombëtar i Bejrutit.
Autoritetet e aviacionit civil në Liban deklaruan për mediat shtetërore se aeroporti vazhdon të funksionojë normalisht, ndërsa rruga që të çon drejt tij mbetet e kalueshme.
Zhvillimi vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa sulmet në afërsi të infrastrukturës kritike si aeroportet shtojnë shqetësimet për sigurinë dhe stabilitetin në zonë.
