AXHENDA E FINAL 4/ Nga stadiumi “Air Albania” te finalja e madhe, përcaktohet kalendari për të gjitha ndeshjet

Shtatë javë na ndajnë nga mbyllja e sezonit të rregullt me 36 javë në Kategorinë Superiore. FSHF-ja ka bërë të ditur axhendën e Final 4 për skuadrat që do ta mbyllin në katër vendet e para.

Departamenti i Garave në FSHF ka përcaktuar kalendarin e ndeshjeve të fazës “Final 4”, ku do të përcaktohet kampioni i edicionit 2025-2026 të “Abissnet Superiore”, si edhe skuadrat që do të marrin pjesë në kualifikueset e Ligës së Konferencës.

Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”, në periudhën 16–31 maj 2026, duke garantuar një organizim maksimal dhe standarde të larta për fazën më të rëndësishme të sezonit.

AXHENDA E FINAL 4/ Nga stadiumi “Air Albania” te finalja e madhe,

Sipas rregullores, katër skuadrat e para në përfundim të fazës së rregullt do të sigurojnë pjesëmarrjen në “Final 4”.

Pikët në këtë fazë do të përgjysmohen, duke marrë për bazë vlerën më të ulët dhe në total do të luhen 6 ndeshje. Ndeshjet e para do të luhen më 16 dhe 17 maj. Takimet e dyta do të luhen më 23 dhe 24 maj ndërsa ndeshjet e treta do të zhvillohen më 29 dhe 31 maj.

Vendi 1 vs Vendi 4, 16.05.2026 19:00

Vendi 2 vs Vendi 3, 17.05.2026 19:00

Vendi 1 vs Vendi 3, 23.05.2026 19:00

Vendi 2 vs Vendi 4, 24.05.2026 19:00

Vendi 3 vs Vendi 4, 29.05.2026 19:00

Vendi 1 vs Vendi 2, 31.05.2026 19:00

Në rast barazimi pikësh midis dy ose më shumë ekipeve në fazën “Final 4”, renditja përcaktohet sipas kritereve në vijim:

– Pikët e grumbulluara në ndeshjet direkte gjatë kampionatit dhe fazës Final 4;

– Diferenca e golave (shënuar – pësuar) në ndeshjet direkte gjatë kampionatit dhe fazës Final 4;

– Diferenca e përgjithshme e golave në të gjithë sezonin (kampionati + Final 4).