"Adoleshenca periudha më 'plastike' e zhvillimit"/ Sociologu Tushi shpjegon rëndësinë e formimit gjatë dy etapave kryesore të jetës
Sociologu Gëzim Tushi ishte i ftuar në një lidhje direkte për Ora News, ku foli për rëndësinë e fëmijërisë dhe adoleshencës në formimin e karakterit dhe personalitetit të individit.
Ai shpjegoi se fëmijëria nuk përfshin vetëm vitet e para, por edhe periudhën e adoleshencës, e cila konsiderohet faza më “plastike” e zhvillimit, ku ndodhin ndryshime të mëdha në trup, mendje dhe marrëdhënie me botën përreth.
“Fëmijëria është një fazë që ndërthuret me biologjinë dhe zhvillimin social. Përmes përjetimeve të ndryshme, nga gëzimet te hidhërimet, trauma dhe siguritë, formohet karakteri dhe personaliteti i fëmijës.”-tha Tushi.
Tushi shtoi se zhvillimi i personalitetit ndikohet nga ngjarje të brendshme, si rritja biologjike, dhe të jashtme, si marrëdhëniet me familjen dhe shkollën.
Ai theksoi rëndësinë e gjashtë muajve të parë të jetës për vendosjen e bazave të zhvillimit.
“Psikologët amerikanë thonë se gjysma e rrugës së zhvillimit të personalitetit ndodh brenda gjashtë muajve të parë të jetës. Kjo tregon sa shumë ndikojnë përjetimet e hershme në zhvillimin biologjik, psikologjik dhe social.”- shtoi ai.
Sociologu shpjegoi se përjetimet e hershme janë çelësi për të kuptuar formimin e personalitetit dhe ndikojnë te mënyra se si individi ndërvepron me botën dhe njerëzit përreth tij.
Ndiqni intervistën e plotë:

