VIDEO/ United fitore spektakolare ndaj Aston Villës, blindon vendin e tretë

Manchester United merr një fitore të rëndësishme 3-1 ndaj Aston Villa në përballjen e javës së 30-të të Premier League, të zhvilluar në stadiumin Old Trafford.

Pjesa e parë e takimit u mbyll pa gola, ndërsa vendasit arritën të zhbllokojnë sfidën në minutën e 53-të. Mesfushori brazilian Casemiro shfrytëzoi një asist të saktë nga Bruno Fernandes dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin “Djajve të Kuq”.

Megjithatë reagimi i miqve ishte i shpejtë. Në minutën e 64-të, Ross Barkley barazoi shifrat për Aston Villën, duke rikthyer ekuilibrin në ndeshje. Manchester United reagoi sërish dhe rimori epërsinë në minutën e 71-të.

Këtë herë ishte Matheus Cunha ai që finalizoi një tjetër aksion të ndërtuar nga Bruno Fernandes, duke kaluar sërish vendasit në avantazh.

Goli që vulosi përfundimisht fitoren erdhi në minutën e 81-të, kur sulmuesi i futur nga stoli Benjamin Šeško realizoi golin e tretë për Manchester United.

Pas kësaj fitoreje, Manchester United ngjitet në kuotën e 54 pikëve, duke forcuar pozitat në vendin e tretë të renditjes, ndërsa Aston Villa mbetet në vendin e katërt me 51 pikë.