NBA/ Edwards udhëheq Minnesota-n! Warriors pësojnë humbjen e katërt radhazi, Clippers fitojnë kundër Chicago Bulls! Triumfojnë Raptors dhe Detroit
Golden State Warriors u mundën 127–117 nga Minnesota Timberwolves, duke pësuar humbjen e katërt radhazi. Anthony Edwards shkëlqeu me 42 pikë, ndërsa në ndeshjet e tjera Clippers, Raptors dhe Detroit siguruan fitore të rëndësishme.
Golden State Warriors vazhdojnë periudhën e vështirë në NBA, pasi pësuan humbjen e katërt radhazi në shtëpi ndaj Minnesota Timberwolves me rezultatin 127–117. Skuadra nga San Francisko u paraqit pa yllin e saj Stephen Curry, i cili mungon prej rreth një muaji për shkak dëmtimi dhe pritet të jetë jashtë fushave edhe të paktën dhjetë ditë të tjera.
Ndeshja mori drejtim që në pjesën e parë, kur Timberwolves arritën të krijonin një avantazh të konsiderueshëm. Diferenca u rrit ndjeshëm në çerekun e dytë dhe pas pushimit të pjesës së parë arriti deri në 25 pikë. Warriors u përballën gjithashtu me disa probleme fizike gjatë ndeshjes, pasi Draymond Green, Al Horford, Seth Curry dhe Quinten Post pësuan dëmtime që komplikuan më tej situatën e skuadrës.
Megjithatë, Warriors patën disa paraqitje të mira individuale. Brandin Podziemski realizoi 25 pikë, ndërsa Kristaps Porzingis shtoi 20 pikë për vendasit. Në anën tjetër, protagonisti absolut i mbrëmjes ishte Anthony Edwards. Ylli i Minnesota shënoi 42 pikë me një efikasitet të lartë në gjuajtje, 13 realizime nga 22 tentativa, duke shtuar edhe 5 asistime.
Në ndeshjet e tjera të mbrëmjes, Los Angeles Clippers vazhduan momentin pozitiv duke marrë fitoren e katërt radhazi. Skuadra nga Kalifornia mundi Chicago Bulls me rezultatin 119–108. Kawhi Leonard ishte sërish vendimtar me 28 pikë, sidomos në minutat e fundit, ndërsa Benedict Mathurin kontribuoi me 26 pikë.
Një përballje e ekuilibruar u zhvillua mes Toronto Raptors dhe Phoenix Suns, ku në fund triumfuan kanadezët me rezultatin 122–115. Brandon Ingram udhëhoqi Raptors me 36 pikë, ndërsa RJ Barrett shtoi 22 pikë. Scottie Barnes u tregua vendimtar në fund të ndeshjes me 14 pikë dhe një bllokim spektakolar ndaj Jalen Green, i cili kishte realizuar 34 pikë për Suns.
Ndërkohë, Detroit Pistons arritën një fitore bindëse 126–110 ndaj Memphis. Jalen Duren shkëlqeu me 30 pikë, ndërsa organizatori Cade Cunningham kontribuoi me 17 pikë dhe 15 asistime, duke ndihmuar skuadrën nga Michigan të kontrollojë ndeshjen sidomos në çerekun e tretë.

