BE miraton 4.6 miliardë euro për Gjermaninë nga fondi i rimëkëmbjes së pandemisë

Gjermania pritet të marrë një tjetër këst prej 4.6 miliardë euros nga Bashkimi Evropian për investime që përfshijnë mobilitetin elektrik dhe transformimin ekonomik, pasi Komisioni Evropian dha  sot miratimin për pagesat.

Fondet vijnë nga fondi i rimëkëmbjes pas pandemisë së koronavirusit, i krijuar nga BE në vitin 2021 për të përballuar dëmet ekonomike të shkaktuara nga pandemia. 

Për të përfituar financimin, shtetet anëtare duhet të paraqesin plane kombëtare me projekte konkrete investimesh dhe reforma.

Në rastin e Gjermanisë, paratë do të përdoren për masa të tilla si rinovimi energjetik i ndërtesave, subvencione për blerjen e automjeteve elektrike, zgjerimi i infrastrukturës së karikimit dhe projekte kërkimore për hidrogjenin.

Megjithatë, para se pagesa të kryhet, Komiteti Ekonomik dhe Financiar i Këshillit të BE-së duhet të japë ende miratimin e tij.

Gjermania ka të drejtë të përfitojë rreth 30 miliardë euro grante të pakthyeshme nga fondi i rimëkëmbjes. Me këtë pagesë të planifikuar, totali i fondeve të disbursuara për vendin do të arrijë në 24.4 miliardë euro.

Fondet jepen mbi bazën e performancës dhe lëshohen vetëm pasi të jenë përmbushur objektivat dhe reformat e rëna dakord.