Merz: Vendimi i SHBA-së për të lehtësuar sanksionet ndaj naftës ruse, i gabuar
Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka kritikuar vendimin e Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të lehtësuar përkohësisht sanksionet ndaj naftës ruse, duke e cilësuar atë si një hap të gabuar.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store në ishullin norvegjez Andoya, Merz tha se lehtësimi i presionit ndaj Rusisë në këtë moment nuk ishte sinjali i duhur.
Ai theksoi se Moska vazhdon të mos tregojë gatishmëri për negociata për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila ka nisur më shumë se katër vjet më parë.
Sipas tij, vendet perëndimore duhet të vazhdojnë të rrisin presionin ndaj Rusisë.
Vendimi amerikan u mor pasi Uashingtoni lëshoi një licensë të përkohshme që u lejon vendeve të blejnë naftë ruse që aktualisht ndodhet e bllokuar në det.
Masa synon të stabilizojë tregjet globale të energjisë, të tronditura nga lufta që ka përfshirë Iranin.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se vendimi do të ishte në fuqi deri më 11 prill dhe se synon të rrisë furnizimin global me energji.
Merz shtoi se vendimi i SHBA-së i ka befasuar edhe liderët e vendeve të G7, pasi shumica e tyre kishin shprehur kundërshtimin ndaj një lehtësimi të tillë të sanksioneve gjatë diskutimeve të fundit me presidentin amerikan Donald Trump.
Ai tha se gjashtë nga shtatë vendet anëtare e konsiderojnë këtë hap si një sinjal të gabuar.

