VIDEO/ Mjekja Imeraj apel për kontrolle të rregullta dhe diagnostikim të hershëm të sëmundjeve të veshkave
Në kuadër të Ditës Botërore të Nefrologjisë, mjekët specialistë bëjnë thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve mbi kujdesin ndaj shëndetit të veshkave dhe rëndësinë e diagnostikimit në fazat e hershme të sëmundjeve.
Mjekja nefrologe, Dr. Matilda Imeraj, theksoi se kjo ditë shërben për të sensibilizuar popullatën mbi rëndësinë e kontrollit të rregullt mjekësor dhe parandalimin e dëmtimeve të funksionit renal.
“Sot është Dita Botërore e Veshkës dhe mjekët nefrologë në të gjithë botën po ndërgjegjësojnë popullatën për kujdesin që duhet të tregojmë ndaj shëndetit të veshkave”, u shpreh Imeraj.
Sipas saj, vitet e fundit është vërejtur një ndryshim në profilin e pacientëve që paraqiten për probleme me funksionin e veshkave.
“Më parë, pacientët që paraqiteshin për kontroll, kryesisht për dëmtime të funksionit të veshkave, i përkisnin më shumë grupmoshës mbi 40 vjeç. Ndërsa tani kemi vënë re ndryshim të këtij raporti, pasi gjithnjë e më shpesh paraqiten pacientë në mosha më të reja”, tha ajo.
Dr. Imeraj theksoi se një nga arsyet kryesore pse këto sëmundje nuk diagnostikohen herët është fakti se ato konsiderohen “sëmundje të heshtura”, pasi nuk shfaqin simptoma të qarta apo shenja alarmante në fazat fillestare.
Ajo bëri të ditur se pacientët mbi 50 vjeç dhe ata që vuajnë nga patologji të tjera, si hipertensioni apo diabeti, përbëjnë grupet më të rrezikuara dhe shpesh referohen te mjeku nefrolog nga mjekët e familjes, kardiologët, endokrinologët apo specialistë të tjerë.
Ndër shenjat që duhet të tërheqin vëmendjen dhe që i shtyjnë pacientët të paraqiten pranë mjekut janë dhimbjet në pjesën e mesit, çrregullimet e urinimit, ënjtja e gjymtyrëve të poshtme, si edhe simptomat e përgjithshme si dobësia trupore dhe mungesa e oreksit.
Në përfundim, Dr. Imeraj apeloi që qytetarët të shmangin përdorimin e medikamenteve pa rekomandimin e mjekut dhe të drejtohen fillimisht te mjeku i familjes për çdo shqetësim shëndetësor.
“Rekomandoj që qytetarët të mos marrin medikamente pa përshkrimin e mjekut, por të konsultohen me mjekun e familjes për çdo shenjë apo simptomë që kanë, në mënyrë që të vlerësohet në kohë nëse ekziston një dëmtim i funksionit renal dhe të mundësohet ndjekja e duhur mjekësore”, theksoi ajo.

