Izraeli sulmon pozicionet e Hezbollahut dhe kërkon pilotin e humbur që nga viti 1986
Forcat izraelite kryen sulme të tjera gjatë natës, ndaj pozicioneve të milicisë Hezbollah, e mbështetur nga Irani, në Liban, duke shënjestruar raketat, depot e armëve dhe objekte të tjera ushtarake.
“Sulmet prekën zona në jug të Libanit dhe në Luginën Lindore të Bekasë, njoftoi sot ushtria izraelite në një postim në “Telegram”.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban, NNA, raportoi se 26 persona kanë humbur jetën gjatë operacionit.
Milicia Hezbollah ka rifilluar sulmet me raketa ndaj objektivave izraelite që nga fundjava e kaluar, për herë të parë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në nëntor 2024.
Grupi deklaroi se sulmet janë një përgjigje ndaj sulmeve izraelite në Iran, përfshirë vrasjen e liderit suprem iranian, Ali Khamenei.
Sirenat e sulmeve ajrore u aktivizuan në veri të Izraelit sot në mëngjes, për shkak të raketave nga Libani, raportuan mediat izraelite.
Nuk ka raporte të menjëhershme për viktima. Ministria e Shëndetësisë në Liban tha dje se mbi 200 persona kishin humbur jetën që nga fillimi i fundit i përshkallëzimit të dhunës.
Kërkimi për pilotin izraelit të humbur që nga 1986
Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se ka kryer një operacion me helikopter në Liban gjatë natës, për të mbledhur informacione mbi pilotin e Forcave Ajrore Izraelite, Ron Arad, i cili u rrëzua mbi jug të Libanit në 1986 dhe u kap nga milicia shiite “Amal”.
“Forcat speciale morën pjesë në operacion, por nuk u gjetën të dhëna lidhur me të në vendin e kërkimit”, njoftoi Ushtria Izraelite, duke shtuar se përpjekjet për të kthyer izraelitët e vrarë dhe të zhdukur do të vazhdojnë “ditë e natë”.
Hezbollahu raportoi se katër helikopterë izraelitë fluturuan nga Siria në lindje të Libanit dhe vendosën një njësit tokësor.
Njësiti më pas u avancua në fshatin Nabi Shit dhe hyri në një shkëmbim zjarri me Hezbollahun në një varrezë.
Pas përleshjes së ashpër, njësiti i komandove u tërhoq me ndihmën e sulmeve ajrore izraelite.
Gazeta libaneze “L’Orient-Le Jour” raportoi se rreth tetë ushtarë izraelitë morën pjesë në operacionin tokësor dhe se varret në varrezën e Nabi Chit ishin kontrolluar.
Këto raporte nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Ron Arad u rrëzua me një avion luftarak mbi Libanin para 40 vitesh.
Pavarësisht përpjekjeve prej disa dekadash, Izraeli nuk ka arritur të sigurojë lirimin e tij ose të zbulojë fatin e tij, i cili ka një ndikim të madh te opinioni publik izraelit.

