TENSIONE UKRAINË – HUNGARI! Hungaria sekuestron 80 mln dollarë dhe ndalon 7 ukrainas mes përshkallëzimit të luftës me Rusinë

Hungaria ka ndaluar përkohësisht 7 shtetas ukrainas dhe ka sekuestruar një dërgesë prej rreth 80 milionë dollarësh në para dhe ar. Autoritetet hungareze dyshojnë për pastrim parash, ndërsa Ukraina e cilëson veprimin të paligjshëm. Incidenti vjen në një moment të tensionuar, ndërsa lufta në Ukrainë vijon me sulme të reja ruse.

Hungaria ka ndaluar 7 shtetas ukrainas dhe sekuestruan dy automjete të blinduara që transportonin dhjetëra milionë dollarë përmes territorit hungarez.

Sipas zyrtarëve në Budapest, operacioni u ndërmor nën dyshimet për pastrim parash. Personat e ndaluar u liruan më vonë, ndërsa fondet e sekuestruara mbetën nën kontrollin e autoriteteve.

7 ukrainasit rezultuan të ishin punonjës të bankës shtetërore Oschadbank, të cilët po transportonin një dërgesë parash midis Austrisë dhe Ukrainës si pjesë e shërbimeve bankare ndërkombëtare. Sipas deklaratës së bankës, dërgesa përfshinte rreth 40 milionë dollarë amerikanë, 35 milionë euro dhe rreth 9 kilogramë ar.

Reagimi i Kievit ishte i menjëhershëm. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e cilësoi veprimin si “banditizëm shtetëror”  sipas tij, ndalimi i shtetasve ukrainas dhe konfiskimi i parave lidhet me tensionet e vazhdueshme mes dy vendeve, veçanërisht për çështjen e furnizimit me naftë ruse përmes tubacionit që kalon në territorin ukrainas. Ai paralajmëroi se Ukraina mund të ndërmarrë masa kundër Hungarisë.

Ndërkohë lufta në Ukrainë vijon të marrë viktima. Të paktën shtatë persona u vranë dhe dhjetë të tjerë u plagosën pasi një raketë ruse goditi një ndërtesë banimi pesëkatëshe në qytetin e Kharkiv. Ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet në rrënoja, ndërsa autoritetet raportojnë dëme edhe në rajone të tjera të vendit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dënoi sulmet dhe bëri thirrje për një përgjigje ndërkombëtare, duke theksuar se Rusia ka përdorur dhjetëra raketa dhe qindra dronë në sulmet e fundit ndaj Ukrainës.

Sipas tij, infrastruktura energjetike dhe zonat rezidenciale kanë qenë ndër objektivat kryesore të këtyre goditjeve.