Luftimet në Iran, Siria hap korridor ajror nga Alepo drejt Mesdheut

Siria ka hapur një korridor të ri ajror nga Alepo drejt Mesdheut për të lehtësuar trafikun e avionëve në një rajon të përfshirë nga tensione ushtarake. Masa vjen ndërsa aeroportet kryesore të Gjirit mbeten të mbyllura për shkak të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Siria ka hapur një korridor të ri ajror nga Alepo drejt Mesdheut për të lehtësuar trafikun e avionëve në një rajon të përfshirë nga tensione ushtarake. Masa vjen ndërsa aeroportet kryesore të Gjirit mbeten të mbyllura për shkak të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Siria ka hapur një korridor të ri ajror nga qyteti verior i Alepos drejt Detit Mesdhe, në një përpjekje për të rikthyer gradualisht trafikun ajror në një rajon të përfshirë nga tensione të forta ushtarake.

Autoritetet siriane thonë se korridori i ri synon të krijojë një itinerar më të sigurt për avionët që mbërrijnë dhe nisen nga Aeroporti Ndërkombëtar i Alepos, në një moment kur hapësira ajrore e shumë vendeve të Lindjes së Mesme mbetet e kufizuar.

Korridori i ri do të jetë i hapur për të gjitha kompanitë ajrore që përmbushin standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe procedurat rregullatore për përdorimin e hapësirës ajrore siriane.

Vendimi vjen në një kohë kur trafiku ajror komercial në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme është kufizuar ndjeshëm për shkak të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Qendrat kryesore të aviacionit në rajonin e Gjirit, përfshirë aeroportet e Dohës dhe Dubait – ky i fundit aeroporti më i ngarkuar në botë për pasagjerët ndërkombëtarë – kanë mbetur kryesisht të mbyllura për të gjashtën ditë radhazi pas sulmeve ajrore amerikano-izraelite ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjeve iraniane me raketa dhe dronë.

Ndërkohë, Siria po mbetet relativisht jashtë përshkallëzimit të drejtpërdrejtë të konfliktit. Prania ushtarake iraniane në vend është reduktuar ndjeshëm pas rënies së presidentit Bashar al-Assad në fund të vitit 2024, ndërsa bazat ushtarake amerikane në territorin sirian u evakuuan në muajin shkurt të këtij viti.