REZIDENCA SEKRETE E EPSTEIN/ Kryevepër arkitekturore, dokumente të reja zbulojnë lëvizjen e fundit

Jeffrey Epstein tentoi të blinte një pallat me vlerë shumë milionëshe në Marok një ditë para arrestimit të tij në vitin 2019. Pallati ndodhet në zonën ekskluzive Palmeraie në Marrakesh dhe përshkruhet si një kryevepër arkitekturore, e ndërtuar nga rreth 1,300 artizanë, me gdhendje dhe mozaikë të zbukuruar.

Dokumente të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë hedhin dritë mbi lëvizjen e fundit të madhe financiare të financerit të ndjerë, Jeffrey Epstein, vetëm një ditë para arrestimit të tij në korrik të vitit 2019.

Sipas dosjeve, Epstein ishte në proces të blerjes së një pallati luksoz në zonën ekskluzive Palmeraie, në Marrakesh, i njohur si “Bin Ennakhil” në Marok

Prona përshkruhet si një kryevepër arkitekturore, e ndërtuar nga rreth 1 mijë e 300 artizanë dhe e zbukuruar me gdhendje e mozaikë të detajuar.

Më 5 korrik 2019, një ditë para arrestimit në Nju Jork për akuza të trafikimit seksual, Epstein nënshkroi një transfertë bankare prej afro 15 milionë dollarësh, si pjesë e një marrëveshjeje për të blerë kompaninë offshore që zotëronte pronën për 18 milionë euro.

Tre ditë më pas, pas arrestimit të tij, kontabilisti anuloi transfertën dhe blerja nuk u finalizua.

Dokumentet tregojnë se interesimi i Epstein për këtë pronë datonte që nga viti 2011, por negociatat me pronarin gjerman kishin ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çmimin.

Në fazat përfundimtare, negociatat u zhvilluan përmes bashkëpunëtores së tij, ndërsa në një moment u pretendua se blerja po bëhej në emër të një miku miliarder.

Marok, nuk ka traktat ekstradimi me Shtetet e Bashkuara, çka ka nxitur spekulime në mediat lokale se prona mund të kishte shërbyer si një strehë e mundshme për t’iu shmangur drejtësisë. Megjithatë, një ish-bashkëpunëtor i Epstein ka deklaruar se transaksioni tregon se ai nuk kishte dijeni për arrestimin e afërt.

Lidhjet e Epstein me Marokun datojnë prej fillimit të viteve 2000. Në vitin 2002 ai mori pjesë në dasmën e mbretit Mohammed VI, ndërsa një nga akuzueset e tij, Virginia Giuffre, ka dëshmuar se ishte dërguar në Tangier për të parë prona luksoze që ai kishte interes t’i blinte.

Rezidenca në Palmeraie mbetet sot një nga misteret e fundit financiare të Epstein, një transaksion i papërfunduar që hedh dritë mbi planet dhe lëvizjet e tij në prag të arrestimit.