GJENEVË/ Iran-SHBA raund vendimtar bisedimesh bërthamore mes tensioneve në rritje

Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur sot raundin e ri dhe vendimtar të bisedimeve për programin bërthamor të Teheranit, ndërsa delegacionet u takuan në Gjenevë, në një klimë tensionesh të shtuara për shkak të rritjes së pranisë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

Ky është raundi i tretë i bisedimeve indirekte këtë vit, sërish i ndërmjetësuar nga Omani.

“Autokolona me përfaqësuesit e të dyja palëve mbërritën në rezidencën e Omanit në qytetin zviceran, ku negociatat nisën në orën 10:00 sipas kohës lokale”, raportoi agjencia shtetërore iraniane IRNA.

Si në raundet e mëparshme, ministri i Jashtëm i Omanit, Badr al-Busaidi, vepron si ndërmjetës, duke përcjellë mesazhet mes palëve.

Delegacionin iranian e udhëheq ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ndërsa pala amerikane përfaqësohet nga i dërguari i posaçëm, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump.

Al-Busaidi i përshkroi pjesëmarrësit si “të vendosur”, ndërsa atmosferën si “konstruktive”.

Në takim merr pjesë edhe kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grossi, pas bisedimeve përgatitore që zhvilloi javën e kaluar me Araghchi.

Bisedimet janë pjesë e përpjekjeve të SHBA-së dhe aleatëve të saj perëndimorë për të parandaluar Iranin nga ndërtimi i armëve bërthamore.

Teherani e ka mohuar një pretendim të tillë dhe ka këmbëngulur se programi i tij është për qëllime civile, por ka sinjalizuar gatishmëri për të pranuar kufizime – përfshirë pasurimin e uraniumit në nivele të ulëta, siç ishte parashikuar në marrëveshjen e vitit 2015, nga e cila Trump u tërhoq në vitin 2018.

Megjithatë, Irani ka vendosur disa “vija të kuqe”. Ai refuzon të çmontojë plotësisht infrastrukturën e pasurimit të uraniumit dhe e konsideron programin e tij raketor të panegociueshëm, duke e parë si mjetin kryesor të parandalimit.

Gjithashtu, Teherani kundërshton diskutimet për ndërprerjen e mbështetjes ndaj grupeve të armatosura rajonale, si Hezbollah në Liban.

Në këmbim të lëshimeve bërthamore, Irani kërkon heqjen e sanksioneve të ashpra ekonomike, të cilat e kanë izoluar vendin nga tregjet financiare globale, kanë frenuar investimet dhe kanë thelluar krizën ekonomike, duke goditur shtresën e mesme dhe duke shtuar varfërinë.

Rreziku i një lufte rajonale

Përtej lehtësimit të sanksioneve, udhëheqja iraniane synon të shmangë edhe rrezikun e një përplasjeje ushtarake, pas rritjes së ndjeshme të pranisë amerikane në rajon dhe paralajmërimeve të përsëritura nga Trump për mundësinë e sulmeve ndaj Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Një javë më parë, Trump i dha Teheranit një ultimatum prej 10–15 ditësh. “Ose do të kemi një marrëveshje, ose në të kundërt mund të ndodhin gjëra të këqija”.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka kërcënuar me një “luftë gjithëpërfshirëse” nëse do të shënjestrohej Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei.

Edhe Khamenei ka paralajmëruar se çdo konflikt i nisur nga SHBA-ja, do të shndërrohej në një luftë rajonale, duke theksuar se Irani nuk e kërkonte një gjë të tillë.

Dështimi për të arritur një progres në tryezën e negociatave mund të rrisë gjasat e një përballjeje ushtarake.

Së fundmi, SHBA-ja ka dislokuar dy aeroplanmbajtëse, dhjetëra avionë luftarakë dhe mjete mbështetëse në Lindjen e Mesme – një nga dislokimet më të mëdha të forcave ajrore amerikane në rajon, që prej Luftës së Irakut në vitin 2003.

Zvicra, vendi mikpritës i bisedimeve, konsiderohet nga Teherani si një ndërmjetëse neutrale dhe përfaqëson interesat amerikane në Iran, ku Uashingtoni nuk ka mision diplomatik.