Kopshti Zoologjik i Balit i jep fund shëtitjeve me elefantë, hap i madh në mbrojtjen e kafshëve

Kopshti Zoologjik i Balit i jep fund shëtitjeve me elefantë, në një hap të rëndësishëm për mirëqenien e kafshëve, sipas “World Animal Protection”.

Kopshti Zoologjik i Balit ka ndaluar ofrimin e shëtitjeve me elefantë, duke shënuar një progres të madh për mirëqenien e elefantëve dhe turizmin e përgjegjshëm me kafshët e egra në Indonezi.

Drejtuesit Kopshtit Zoologjik njoftuan se nuk do t’u ofronin më vizitorëve mundësinë e kalërimit mbi elefantë, një vendim që pasqyron ndërgjegjësimin në rritje se këto aktivitete u shkaktojnë dëm real elefantëve.

Vendimi vjen pas veprimeve të ngjashme te ndermarra nga parqet e safarit, TSI Bogor, TSI Prigen dhe A’Famosa, të cilat gjithashtu ndaluan shëtitjet me elefantë në vitin 2024.

Këto ndryshime tregojnë se industria e turizmit po largohet gradualisht nga praktikat e vjetra dhe të dëmshme.

Ky progres vjen pas disa vitesh kërkimesh, avokimi dhe angazhimi nga “World Animal Protection”, si dhe presioni në rritje nga vizitorët që duan të shijojnë natyrën pa shkaktuar vuajtje.

Pse shëtitjet u shkaktojnë dëm elefantëve?

Shëtitjet me elefantë njihen gjerësisht si një nga format më të dëmshme të turizmit me kafshë të egra.

Për t’i bërë elefantët të pranojnë kontakt të afërt me njerëzit, shumë prej tyre i nënshtrohen metodave të ashpra stërvitjeje që mbështeten në frikë dhe dhimbje.

Në robëri, ata shpesh mbahen në kushte që kufizojnë lirinë e lëvizjes, socializimin dhe sjelljen natyrore.

Hetimet mbi turizmin me kafshë të egra në Bali kanë nxjerrë vazhdimisht në pah vuajtjet e elefantëve t’u përdorur për argëtim.

Turizmi po ndryshon

Vendimi i Kopshtit Zoologjik në Bali është mbështetur nga “Southeast Asian Zoos& Aquariums Association” – një grup kopshtesh zoologjike dhe akuariumesh që punojnë për përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies së kafshëve, ruajtjen e biodiversitetit dhe ndërgjegjësimin publik – e cila është shprehur publikisht kundër shëtitjeve me elefantë.

Në dhjetor 2025, edhe Agjencia për Ruajtjen e Natyrës dhe Burimeve Natyrore e Provincës në Bali u bëri thirrje atraksioneve turistike të tregonin më shumë respekt për elefantët dhe të hiqnin dorë nga këto aktivitete.

Ndërsa pritshmëritë po ndryshojnë, vendet që vazhdojnë të ofrojnë shëtitje me elefantë rrezikojnë të mbeten jashtë standardeve të vlerave komunitare dhe turizmit të përgjegjshëm.