TENSIONE DIPLOMATIKE FRANCË-SHBA/ Ambasadorit amerikan, Charles Kushner i kufizohen kontaktet zyrtare

Franca ka kufizuar aksesin diplomatik të ambasadorit amerikan në Paris, Charles Kushner, pasi ai nuk iu përgjigj një thirrjeje zyrtare të Ministrisë së Jashtme. Autoritetet franceze kërkojnë shpjegime për ripostimin nga ambasada amerikane të komenteve të Departamentit të Shtetit lidhur me vrasjen e një aktivisti të ekstremit të djathtë.

Regjistrohet një tension i ri diplomatik mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara pas mungesës së ambasadorit amerikan në Paris, Charles Kushner, në një takim të thirrur nga Ministria e Jashtme franceze.

Kushner, i dërguari i presidentit amerikan në Francë dhe babai i Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump, nuk u paraqit në takimin e planifikuar për të dhënë shpjegime mbi komente të bëra nga Departamenti Amerikan i Shtetit për vrasjen e një aktivisti të ekstremit të djathtë në Francë.

Në vend të tij, ai dërgoi një zyrtar të lartë të ambasadës, duke përmendur angazhime personale.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, deklaroi se ambasadori nuk do të lejohet të ushtrojë normalisht detyrat e tij diplomatike derisa të zhvillojë një diskutim zyrtar me ministrinë.

Ai theksoi se përfaqësuesit diplomatikë duhet të respektojnë rregullat bazë të sjelljes dhe të përgjigjen ndaj thirrjeve zyrtare të shtetit pritës.

Kriza diplomatike lidhet me reagimin amerikan pas vrasjes së Quentin Deranque (Kuentin Derankë), një aktivist i ekstremit të djathtë që humbi jetën pas përleshjeve në Lion.

Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se po monitoronte rastin dhe paralajmëroi për rritje të “radikalizmit të majtë të dhunshëm”, një qëndrim që Parisi e konsideron ndërhyrje në debatin e brendshëm politik.

Barrot theksoi se Franca nuk pranon ndërhyrje të huaja në çështjet e saj të brendshme, por shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë kaluar edhe kriza të tjera dhe do të vazhdojnë të jenë të qëndrueshme.

Incidenti pason përplasje të tjera diplomatike në Europë, përfshirë tensione mes SHBA-së dhe Belgjikës për deklarata të ambasadorit amerikan në Bruksel.