Danimarka hedh poshtë pretendimin e Trump se Groenlanda ka nevojë për anije spitalore
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë të dërgojnë një anije spitalore detare në Groenlandë, tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke sinjalizuar një veprim që mund të rrisë tensionet ekzistuese me aleatin e NATO-s, Danimarkën.
“Anija do të kujdeset për shumë njerëz të sëmurë atje”, shkroi dje Trump në “Truth Social”.
“Është rrugës!!!” shtoi ai, duke e quajtur atë një anije spitalore “të shkëlqyer” dhe duke ilustruar postimin e tij me një fotografi të një anijeje që mban emrin e njërës prej dy anijeve spitalore amerikane: “USNS Mercy”. Ai nuk dha detaje të mëtejshme.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen iu përgjigj sot deklaratës së fundit të Trump me një sulm ndaj SHBA-së, pa përmendur drejtpërdrejt presidentin ose vendin e tij.
Duke postuar në “Instagram”, Frederiksen tha se “ishte e lumtur që jetonte në një vend ku të gjithë njerëzit kishin qasje të lirë dhe të barabartë në kujdesin shëndetësor dhe ku sigurimi dhe pasuria nuk përcaktonin nëse merrnin trajtimin e përshtatshëm”.
“Groenlanda ndjek të njëjtën qasje”, shtoi ajo.
Kërcënimet e përsëritura të Trump në javët e fundit për të aneksuar potencialisht Groenlandën, një territor danez me rëndësi strategjike, kanë tensionuar marrëdhëniet midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vendet evropiane, përfshirë Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Francën, kanë mbështetur Danimarkën dhe Groenlandën, duke hedhur poshtë çdo plan aneksimi të SHBA-së.
Bisedimet midis Kopenhagënit, Nuuk-ut dhe administratës Trump janë duke vazhduar për të arritur një kompromis.
Mision i paqartë dislokimi
Marina Amerikane operon dy anije të mëdha spitalore, secila me rreth 1 000 shtretër, duke përfshirë 80 njësi të kujdesit intensiv.
Këto anije janë vendosur më herët, pas fatkeqësive natyrore si tërmete ose uragane, dhe kanë shërbyer përkohësisht në portet amerikane gjatë kulmit të pandemisë së Covid-19.
Të dyja besohet se aktualisht janë duke u riparuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Groenlanda, me një popullsi prej rreth 57 000 banorësh, nuk ka raportuar kohët e fundit një nevojë të konsiderueshme mjekësore, që do të kërkonte vendosjen e një anijeje spitalore.
Ministri i Mbrojtjes i vendit, Troels Lund Poulsen, i tha sot transmetuesit danez DR, se Danimarka nuk ishte informuar për planet e Trump për të vendosur në Arktik anije spitalore.
Poulsen siguroi gjithashtu se Groenlanda do të merrte kujdesin e nevojshëm mjekësor nga Danimarka.
Sistemi shëndetësor publik i Groenlandës përfshin klinika lokale dhe “Spitalin Queen Ingrid” në kryeqytetin Nuuk për raste komplekse, me evakuime mjekësore në Danimarkë.
Anijet amerikane në dok
Nuk është e qartë se deri në çfarë mase dhe sa shpejt do të jenë funksionale dy anijet spitalore.
Në fund të janarit, një kantier detar në Alabama, tha në Facebook se “USNS Comfort” kishte mbërritur atje, që do të thotë se të dy anijet spitalore ishin tani në dok.
Sipas deklaratave të mëparshme të Pentagonit, puna në “USNS Comfort” ishte planifikuar të vazhdonte deri në fund të prillit.
Edhe pse Trump shkroi se një anije ishte në rrugë e sipër, normalisht duhet pak kohë për të pajisur plotësisht një anije spitalore.
Në funksionimin normal, kur anijet janë në spirancë, vetëm një ekuipazh minimal është në bord.
Incidenti i nëndetëses amerikane
Një anëtar i ekuipazhit të një nëndetëseje amerikane duhej të evakuohej dje nga ujërat territoriale të Groenlandës, për shkak të një emergjence mjekësore, sipas një postimi në “Facebook” të Komandës Daneze të Arktikut.
Një helikopter ushtarak danez e mori personin nga nëndetësja dhe e çoi në një spital në Nuuk.
Fillimisht nuk ishte e qartë nëse kishte ndonjë lidhje midis njoftimit të Trump dhe incidentit.


